Protesta kundër COVID-19, në disa shtete europiane kundërshtohen masat e marra nga qeveritë



Në shumë shtete evropiane kanë shpërthyer protesta kundër masave që autoritetet kanë ndërmarrë për të parandaluar përhapjen e coronavirusit.
Policia në Berlin shpërndau protestuesit sipas të cilëve masat e qeverisë po kufizojnë lirinë. Rreth 300 persona u arrestuan pasi nuk mbajtën distancën fizike dhe maska. Protestat u zhvilluan edhe në qytetet të tjera të Gjermanisë. Elementë të ekstremit të djathtë u përpoqën të sulmojnë ndërtesën e parlamentit gjerman, por u larguan me forcë nga policia.
Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer u shpreh se nuk do të ketë tolerancë ndaj vandalëve dhe ekstremistëve.
Protestat kundër masave ndaj COVID-19 u zhvilluan edhe në Francë, ku protestuesit mbanin në duar pankarta ku lexohej: ‘Mjaft me gënjeshtrat’, por shumë shpejt policia i rrethoi dhe vendosi gjoba prej 135 eurosh ndaj të gjithë atyre që nuk mbanin maska, pasi në Paris është e detyrueshme të mbash maskë në publik.
Edhe në Zvicër rreth 1 000 persona dolën të protestojnë duke bërë thirrje që të rikthehet liria. Protesta u zhvilluan edhe në Londër dhe në Vjenë, ku sipas demonstruesve normaliteti i ri është i barabartë me një fytyrë te re të fashizmit.
Eunews.al

