×
Saturday, May 2, 2026

Ministri izraelit i Mbrojtjes “sulmohet” nga hakerët turq

September 11, 2025


Një grup hakerësh turq ka arritur të depërtojë virtualisht te ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, duke e kontaktuar përmes WhatsApp-it pas publikimit të numrit të tij personal.

Sipas mediave izraelite, përfshirë Ynet, një prej hakerëve ka iniciuar një video-telefonatë me Katz, të cilën ai e ka pranuar.

Gjatë bisedës së shkurtër, hakeri e ka fyer ministrin dhe ka bërë një “screenshot” të fytyrës së tij, përpara se telefonata të ndërpritej.

Më pas, fotografia e Katz-it gjatë telefonatës është publikuar nga grupi turk, i cili gjithashtu ka shpërndarë edhe mesazhet kërcënuese të dërguara në WhatsApp.

Një prej mesazheve përmbante fjalët: “Katz, mos e harro kurrë këtë: vdekja jote është afër. Ne jemi mbrojtësit e Kassam-it, do të të varrosim ty dhe vendin tënd në histori”.

Pas këtij mesazhi, hakerët dërguan të tjera si: “Çfarë dreqin ndodhi?” dhe “A më bllokove, qen?”. Mesazhi i fundit kishte vetëm një shenjë kontrolli, duke konfirmuar se Katz e kishte bllokuar numrin.

Ynet shkruan se ministri ka përdorur të njëjtin numër prej vitesh dhe se ai është shpërndarë më parë në grupe të ndryshme.

Publikimi i numrit ka sjellë “mijëra” mesazhe të tjera kërcënuese ndaj tij, përfshirë dhe automatikë, me përmbajtje të tipit: “Do të të vrasim”.




Comments are closed.