×
Tuesday, March 28, 2023

Lagjia e re në Laç/ Rama: Simbol i miqësisë dhe solidaritetit mes Shqipërisë dhe Turqisë

December 23, 2020



Kryeministri Edi Rama e cilësoi sot ndërtimin e lagjes së re në Laç, një lagje simbol të duarve të shtrënguara të miqësisë dhe solidaritetit, e cila theksoi ai “do të jetë këtu për kohët që vijnë si dëshmi e kësaj marrëdhënie krejt të veçantë mes dy popujve, dy vendeve e dy qeverive tona”.

Në fjalën e tij në ceremoninë e organizuar ku nisi ndërtimi i pallateve të reja në bashkëpunim me qeverinë turke në Laç, Kryeministri Rama tha se “jemi këtu për të dëshmuar solidaritetin e jashtëzakonshëm që Republika e Turqisë dhe Presidenti Recep Tayyip Erdogan kanë shprehur qysh në momentet e para pas fatkeqësisë së madhe të 26 nëntorit të shkuar”.

“Po ashtu edhe fjalën e mbajtur të Presidentit dhe miqve tanë turq për të nisur nga puna dhe për ta rilindur zemrën e qytetit të vogël të Laçit me një lagje të re, e cila është e ndarë në dy zona njëra zonë që është edhe më e madhe, e cila po ndërtohet nga themelet falë kësaj mbështetje dhe zona tjetër,  që ka nisur me infrastrukturën dhe do ndërtohet nga qeveria e Shqipërisë, por është një lagje”, – tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “Turqia ishte pjesë e rrjetit të vendeve mike që jo vetëm u shprehën me fjalë por u angazhuan menjëherë me forca njerëzore dhe burime materiale për të qenë të pranishëm kur ende jetë njerëzore kërcënoheshin nga gërmadhat”.

“Zona 1 e lagjes së re financohet nga qeveria turke dhe zona 2 nga qeveria shqiptare. Zona 1 ka 524 apartamente, 37 njësi shërbimi, 375 vendparkime, qendër tregtare, njësi shërbimi e infrastrukturë sipas standardeve europiane”, – tha Rama.

“Kam pasur privilegjin t’i takoj forcat turke të kërkim- shpëtimit dhe të shikoj nga afër përkushtimin dhe vetëmohimin ku djemtë e ardhur për herë të parë në Shqipëri shpëtuan jetë shqiptare duke mos lejuar që gërmadhat ti merrnin me vete. Më pas Presidenti Erdogan më ka ftuar të jem i pranishëm në vendin mik në një event të madh në të cilin ka apeluar për solidaritet dhe ka lajmëruar gatishmërinë për ndërtimin e e 500 apartamenteve dhe menjëherë së bashku me një mik të mirë që e kemi njohur dhe e kemi pasur mundësinë ta vlerësojmë në këto ditë të vështira ministri Mehmet Kurum kemi filluar punën duke u mbështetur tek eksperienca e madhe e agjencisë turke TOKI, duke vënë në komunikim arkitektët, projektuesit”, – nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama tha se “ky projekt nuk është thjesht një projekt me pallate, me 524 apartamente 37 njësi shërbimi, parkime, qendra tregtare, etj. por është edhe një projekt që vjen si shprehje respekti për territorin, një projekt që vjen me parametra urbanë miqësorë me territorin, por një projekt që merr në konsideratë edhe elementë tradicionalë të përkthyer në një arkitekturë bashkëkohore”.

Duke ndërtuar këtë lagje të re, vijoi Rama, ne arritëm të sistemojmë përroin e vjetër që ishte një gangrenë në këtë qytet dhe që me rrëmbimin e tij përmbyste në mënyrë sistematike qytetin, dëmtonte tregtarët e vegjël, banorët dhe e bënte në mënyrë sistematike të pajetueshëm këtë qytet të vogël.

Kryeministri Rama u shpreh se “ka qenë këmbëngulja epike e kryetares së bashkisë, Majlinda Cara, pastaj edhe kërkesa jonë dhe gatimshëmria e ministrit dhe inxhinierëve që kemi bashkëpunuar, që pavarësisht se projekti kishte nisur pa e konsideruar nevojën për sistemimin e përroit, ai të integrohej së bashku me kantierin e projektit”.

Më tej Rama tha se “ne kemi vijuar punën për rrjetin e shkollave që do të rilindin nga fillimi, pasi shkollat e vjetra nuk ekzistojnë më. Ka përfunduar shkolla e Gjormit janë në proces, në nisje 9 objekte të tjera arsimore. Nga ana tjetër nis puna edhe për banesat individuale është në proces puna për meremetimet dhe përforcimet 180 pallateve për 1500 familje me grantet sipas niveleve të dëmit të dhëna nga qeveria shqiptare”.

“Këtu do të ndërtohen 524 apartamente , 200 apartamente të tjera në anën tjetër dhe faktikisht do të kemi një qendër të re, pasi përveç apartamenteve dhe njësive tregtare do të ndërtohet godina e re e bashkisë , një nevojë e kahershme. Do të ndërtohet një tjetër shkollë e re këtu pranë, kopshti , çerdhja, spitali i ri diku më tutje. Për spitalin puna është në proces pasi të gjitha procedurat janë përfunduar , kontrata është gati dhe faktikisht do të kemi një pamje krejt të re”, – tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “me kryetaren e bashkisë po punojmë edhe për transformimin e të gjithë rrugës që shkon drejt vendit të shenjtë, Kishës së te Shën Ndojit, gjë që me siguri i shërben rritjes ë mëtejshme të gatishmërisë së këtij qytetit për të mirëpritur njerëzit e shumtë që vijnë në periudhën e pelegrinazhit. Me këtë ndërtim qyteti do të bëhet mikpritës dhe do të ketë mundësinë që mikpritjen ta ofrojë në funksion të ekonomisë së vetë lokale”.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments