Kryeministri Rama bën bilancin e punës së qeverisë për vitin 2020




Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama zhvilloi sot konferencën e përjavshme me temë “Ekonomia në Fokus”, e cila ishte dhe e fundit për vitin 2020.
Në konferencën e sotme, kryeministri Edi Rama bëri një bilanc të punës së qeverisë shqiptare gjatë vitit 2020, duke e nisur me reformën në drejtësi.
“Me të drejtë qytetarët kanë një pritshmëri të lartë prej shumë vitesh dhe pasi kanë dhënë një kontribut në reformën në drejtësi, kanë dhe një padurim të mirëkuptueshëm për faktin se ende sot vazhdojnë problemet në sistemin e drejtësisë, dhe drejtësia nuk ka arritur deri në atë pikë të reagimit të saj që të lehtësojë qytetarët. Procesi i Reformës në Drejtësi ka nisur me pastrimin e sistemit”, tha Rama.
Më tej gjatë fjalës së tij, Rama duke folur për situatën e krijuar nga pandemia e koronavirusit të ri (COVID-19), theksoi se Shqipëria po bën përpjekje intensive për të siguruar vaksinën kundër COVID-19 dhe shprehu bindjen se në mes të janarit do nisë vaksinimi.
“Jemi në përpjekje intensive për vaksinën. Situata e përgjithshme është shumë domethënëse sa i përket situatës edhe në Evropë. Sot që flasim, Italia ka në dispozicion 9.700 vaksina, vend i Bashkimit Evropian (BE) me një popullsi të konsiderueshme. Ndërkohë çfarë ka ndodhur në nivelin evropian, gjithë partia e parë e dozave të disponueshme është ndarë mes vendeve të BE dhe ndërkohë ju është lënë vendeve të negociojnë me vende apo palë të tjera për të ndarë nga paketa e tyre. Ne në mes të janarit do fillojmë me mjekët dhe infermierët e do vazhdojmë me grupet vulnerabël”, tha Rama.
“Afër 300 mijë shqiptarë kanë përfituar direkt pagë lufte”
Duke folur për efektet e pandemisë COVID-19 në ekonominë e vendit, Rama u shpreh se janë rreth 300 mijë shqiptarë që kanë përfituar pagë lufte si dhe shumica e atyre që humbën punën në periudhën mars-qershor janë rikthyer në vendin e punës.
“Sot them që janë afër 300 mijë shqiptarë, që kanë përfituar direkt pagë lufte. Ndihma direkte për biznesin e vogël është konkretizuar me një hap kongresist, duke hequr taksën dhe duke u bërë i vetmi vend në rajon me zero taksë mbi fitimin për biznesin e vogël. Sot që flasim janë 560 entitete që kanë përfituar nga instrumenti i parë i garancisë sovrane, një shumë prej 53 milionë eurosh, dhe mbi 200 entitete të tjera që kanë përfituar nga instrumenti i dytë i garancisë. Në total kanë përfituar 53 mijë punonjës”, shtoi Rama.
“Nuk ka asnjë marëveshje me Greqinë”
Sa i përket procesit të rindërtimit pas tërmetit, Rama premtoi se 4 mijë e 500 shtëpitë individuale do të përfundojnë brenda 6 mujorit të parë të 2021.
“Janë 28 miliardë lekë që janë vendosur për procesin e rindërtimit. 28 kantiere që kanë filluar ose janë në proces. E gjithë puna e rindërtimit prek shumë më tepër se gjithë familjet e prekura drejtëpërdrejtë. Janë 1000 shtëpi të reja që hapin dyert deri pasnesër për të kaluar Vitin e Ri në një hapësirë të re. Janë 4500 shtëpi që do të përfundojnë brenda 6 muajve të vitit të ardhshëm. Janë 13 mijë familje që marrin bonus qiraje”, u shpreh Rama.
Ndërsa sa i përket çështjes së miratimit nga Greqia të dekretit për zgjerimin me 12 milje në detin Jon, Rama theksoi se nuk ka asnjë marëveshje me Greqinë.
“Shqipëria në vitin 1990 ka bërë ekzaktësisht këtë që ka bërë Greqia sot. Çdo shtet që ka dalje në det ka të drejtën të zgjerohet 12 milje përtej kufirit ekzistues të njohur më parë, aty ku është e mundur. Shqipëria e ka ushtruar këtë të drejtë në vititn 1990. E ka depozituar faktikisht ushtrimin e kësaj të drejte në maj të 1990 në Kombet e Bashkuara”, deklaroi Rama.
Eunews.al
