Koronavirusi ‘izolon’ Ballkanin
Serbia ndaloi sot hyrjen në territorin e saj të shtetasve të huaj që vijnë nga vendet më të prekura nga koronavirusi i ri, duke konfirmuar vendosmërinë e vendeve të Ballkanit për t’u izoluar përballë përparimit të pandemisë.
Qeveria serbe ka sqaruar se masa ka të bëjë me të huajt që kanë qëndruar në Kinë dhe Iran, si edhe në vendet europiane si Italia, Spanja, Franca, tre vendet e para europiane më të prekura nga COVID- 19, Gjermania, Austria dhe Greqia.
Në Bosnjën fqinje, autoritetet do të vënë javën e ardhshme tenda pranë vendkalimeve kufitare dhe aeroporteve për të karantinuar atje për dy javë çdo person, të huaj apo boshnjak, i cili vjen nga zonat e nxehta.
Në shtatë vendet e rajonit (Shqipëri, Bosnje, Kroaci, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal i Zi, Serbi), janë infektuar rreth 180 persona.
Shkollat dhe fakultetet tashmë janë mbyllur në shumicën e tyre.
Në Shqipëri, ku një person vdiq si rezultat i COVID-19, qarkullimi i automjeteve është ndaluar në shtatë qytete, përfshirë kryeqytetin, ku janë mbyllur edhe baret e restorantet.
Edhe në Maqedoninë e Veriut, autoritetet kanë mbyllur kafetë, restorantet, si dhe biznese joushqimore.
Eunews.al