×
Saturday, January 18, 2025

Koronavirusi, Italia dhe Spanja gradualisht do t’i kthehen normalitetit

April 15, 2020


Vendet më të goditura nga koronavirusi i ri (COVID-19) në Evropë, Italia dhe Spanja, planifikojnë që t’i kthehen jetës normale përderisa zvogëlohet numri i të vdekurve dhe rasteve të reja të konfirmuara.

Pas më shumë se një muaji duke luftuar kundër COVID-19, të dy vendet mesdhetare arritën të sjellin nën kontroll infeksionet dhe shkallën e vdekjeve dhe po punojnë me njëri-tjetrin, si dhe me BE-në, që të përmirësojnë ekonomitë dhe shoqëritë e tyre.

Rreth 35 për qind e numrit të përgjithshëm të vdekjeve të shkaktuara nga COVID-19 në botë janë raportuar nga Italia dhe Spanja. Ekspertët thonë se kjo është rezultat i masave të vonuara kundër përhapjes së sëmundjes, mungesës së kompleteve të testimit, popullsisë së plakur dhe kulturave shoqërore të të dy vendeve.

Koronavirusi në Itali dhe Spanjë

Sipas të dhënave të fundit, numri i përgjithshëm i vdekjeve nga COVID-19 në Itali ka arritur në 21.067, që është numri më i lartë në Evropë. Ndërkohë, numri i përgjithshëm i të infektuarve në vend është 168.488.

Në Itali, numri më i lartë i vdekjeve brenda një dite u regjistrua më 27 mars, me 969 vdekje në 24 orë, ndërsa numri më i lartë i rasteve të konfirmuara u regjistrua më 21 mars, me 4.821 raste të reja.

Shkalla e vdekjeve në Itali në 11 ditët e fundit është ulur në mes 431 dhe 681 në ditë, nga mbi 700.

Në Itali, 37.130 janë shëruar nga virusi. Ndërkohë, në mesin e personelit shëndetësor, 116 mjekë, 28 infermierë dhe 8 farmacistë kanë vdekur duke luftuar pandeminë në vijat e para.

Spanja raporton numrin më të lartë të të shëruarve pas Kinës

Spanja raportoi numrin më të lartë të vdekjeve në 24 orë më 2 prill, kur 950 njerëz humbën jetën. Numri ditor është zvogëluar në 757-510 gjatë dhjetë ditëve të fundit.

Autoritetet dje kanë konfirmuar 523 vdekje të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm të vdekjeve në 18.579.

Megjithëse Spanja ka zbatuar bllokim që nga 14 marsi, numri i të infektuarve të rinj mbetet i rëndësishëm. Gjatë 24 orëve të fundit, vendi ka konfirmuar gati 5.000 raste të reja me COVID-19, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 177.633.

Në Spanjë gjithsej 70.853 persona janë shëruar nga sëmundja, që është numri më i lartë pas Kinës.

Rënia ekonomike

Situata ekonomike në Itali dhe Spanjë u vlerësua së fundmi në një raport të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Sipas FMN-së, ekonomia italiane do të paguajë çmimin më të lartë në Evropë dhe pritet që të zvogëlohet për 9,1 për qind.

FMN gjithashtu ka parashikuar që ekonomia e spanjolle të bie për 8 për qind në vitin 2020, ndërsa papunësia do të rritet në 20,8 për qind.

Spanja nuk ka përjetuar këtë nivel të rënies ekonomike që nga lufta e saj civile në vitin 1936, kur, sipas të përditshmes spanjolle El Pais, ekonomia u zvogëlua për 23,5 për qind.

Rendi shoqëror dhe shkollimi

Spanja dhe Italia janë nën bllokim dhe njerëzve u ndalohet të dalin jashtë, përveç për të blerë produkte ushqimore, për të shëtitur kafshët shtëpiake dhe për të shkuar në punë.

Është ndërprerë edhe procesi edukativo-arsimor, ndonëse studentët ndjekin mësimin e shkurtuar online.

Ministrja spanjolle e Arsimit, Isabel Celaa, tha se planifikohet që shkollat të hapen në maj apo qershor.

Disa grupe arsimore spanjolle i dërguan një letër ministres Celaa, duke kërkuar që shkollat të mbeten të hapura gjatë gjithë verës për të përfunduar vitin shkollor, nëse përmirësohen kushtet shëndetësore në lidhje me COVID-19.

Italia i ka mbyllur shkollat më 4 mars, ndërsa autoritetet shëndetësore thonë se ato mund të qëndrojnë të mbyllura deri në shtator.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating



Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments