Shqipëria pret Kongresin Botëror të Ligjit, 600 juristë nga e gjithë bota në Tiranë
Për tre ditë, Shqipëria do të shndërrohet në një qendër të rëndësishme të drejtësisë ndërkombëtare, duke pritur Kongresin Botëror të Ligjit që zhvillohet nga data 6 deri më 8 maj në Tirana dhe më pas në Berat.
Ky aktivitet do të mbledhë rreth 600 personalitete të jurisprudencës nga vende të ndryshme të botës dhe konsiderohet si sesioni hapës i Kongresit Botëror të Drejtësisë që pritet të mbahet në Shqipëri në vitin 2027, ku parashikohet pjesëmarrja e rreth 5 mijë gjyqtarëve dhe liderëve botërorë, si dhe ndarja e një çmimi prestigjioz të njohur si “Nobeli i drejtësisë”.
Gjatë tre ditëve të aktivitetit, që përkojnë edhe me javën e drejtësisë që kulmon më 10 maj, do të zhvillohen një sërë aktivitetesh dhe diskutimesh të nivelit të lartë.
Më 6 maj, disa personalitete të drejtësisë shqiptare dhe ndërkombëtare do të nderohen me titullin “Honoris Causa”.
Ndërsa në datat 7 dhe 8 maj, aktiviteti do të hapet nga ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ku në tryezat e nivelit të lartë do të diskutohen arritjet dhe sfidat e reformës në drejtësi në vend.
Një nga temat kryesore do të jetë edhe procesi i Vettingut, i cili ka zgjatur rreth nëntë vite dhe pritet të ketë aktivitetin e tij përmbyllës në muajin qershor.







