Konferenca e Parë Ndërqeveritare Shqipëri-BE/ Holanda ende ska vendosur, ministri Blok: Të kënaqur me progresin që po bëhet në Shqipëri



Qeveria holandeze ka reaguar zyrtarisht pas lajmit të rremë të përhapur në disa media shqiptare, sipas të cilit, Parlamenti vendas kërkon ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Lajmi i përhapur në mediat shqiptare citon ministrin e Jashtëm, Stef Blok duke deklaruar se do të kërkojë ndarjen e dy vendeve me arsyetimin se Shkupi ishte gati për konferencën e parë, ndërsa Tirana jo.
“Parlamenti holandez diskutoi shkurtimisht një letër që ministri i Jashtëm, Blok i pati dërguar Parlamentit në datë 4 shtator. Letra i referohej draftit të kuadrit të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, shpërndarë nga Komisioni Europian në datën 1 korrik dhe që së fundmi po diskutohet në Bruksel”, thuhet në reagimin zyrtar të Holandës, të publikuar nga Ambasada holandeze në Tiranë. Në të njëjtën deklaratë sqarohet se vendimmarrja i takon Këshsillit të Çështjeve të Përgjithshme në Parlamentin holandez, që këtë temë do ta diskutojë në muajin nëntor.
“Si zakonisht, qeveria holandeze do t’i dërgojë një vlerësim të kësaj pakete Parlamentit në javët në vijim. Kjo do të vijohet nga një debat sipas procedurave parlamentare. Do të jetë takimi i Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në nëntor ku do të diskutohet paketa e zgjerimit”, thuhet në deklaratë.
Ndërkaq, Eu News.al ka siguruar dhe debatin e zhvilluar në Parlamentin Holandez për kornizën negociuese me Ministrin e Puneve te Jashtme Blok:
Sapo mbaroi debati në Komisionin Parlamentar për Ҫështjet Europiane të Holandës me Ministrin e Punëve të Jashtme Blok, ku pjesë e axhendës ishte diskutimi i vlerësimi që qeveria i ka dërguar Parlamentit më 4 shtator 2020 mbi dy kornizat negociuese për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Siç jua kemi përcjellë me 4 shtator 2020, qeveria e holandës ishte pozitive për kornizën negociuese të paraqitur nga Komisioni Europian. Sot nuk u diskutua korniza negociuese, po pati dy pyetje nga dy pole të ndryshme të parlamentit holandez, një nga GreenLeft (koalicion me progresistet D66 dhe Pvda) një nga CDA (koalicioni qeveritar).
Gjatë debatit të sotëm deputeti i GroenLinks (Green Party) pyeti specifikisht Ministrin Blok se çfarë qëndrimi do të mbajë Holanda në lidhje me mbajtjen e konferëcës së parë ndërqeveritare. Ai gjithashtu shtoi se edhe në dokumentin e marsit u pa një listë me kushte. Ai pyeti kur do të mbajë Holanda një qëndrim pozitiv ndaj Shqipërisë, pasi sa mbajë mend unë, shtoi ai, shtohen kushte mbas kushtesh. Apo nuk duam që Shqipëria të nisë negociatat, pavarësisht kushteve?
Deputeti Omtzigt pyeti nëse Holanda do të hartojë një vlerësim të veçantë me leximin e vet të plotësimit të kushteve përpara se të merret vendimi për konferëcën e parë ndërqeveritare dhe pyeti se çfarë vlerësimi ka për plotësimin e kushteve nga Shqipëria.
Përgjigjja e Ministrit Blok: Nisja e konferëcës së parë ndërqeveritare është rezultat i unanimitetit në BE. Ne dje kemi marrë raportin e Komisionit Europian të cilin do ta studiojmë dhe do të bëjmë vlerësimin tonë sic e bëjmë çdo vit. Vlerësimi do t’ju dorëzohet për debat si çdo vit Dhomës tuaj. Tani nuk mund të flas për një raport që kam marrë dje. Atë do ta diskutojmë me ju.
Në linja të përgjithshme, shtoi Ministri Blok, mund të them që ne nuk jemi të kënaqur me situatën në Shqipëri, por jemi të kënaqur me progresin që po bëhet.
Eunews.al

