Kim, pritje me gra udhëheqëse: Mbështesni njëra-tjetrën për të çuar para barazinë gjinore



Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim organizoi një pritje me gra udhëheqëse shqiptare në qeveri, gazetari, arsim, drejtësi, ushtri, biznes dhe shoqëri civile.
Ambasadorja Kim mirëpriti Gjeneralen e Brigadës, Lisa Hou nga Departamenti i New Jersey për Çështjet e Ushtarakëve dhe Veteranëve dhe nënvizoi se në historinë e saj 250-vjeçare të Gardës Kombëtare të New Jersey, ajo është Komandantja e parë femër.
Ajo vuri në dukje se gratë udhëheqëse janë duke i dhënë formë të ardhmes së Shqipërisë dhe përpjekjet e tyre kanë rëndësi për të gjithë shqiptarët, veçanërisht për gratë e reja të cilat i shohin ato si shembull për t’u ndjekur.
Ajo vlerësoi gjithashtu punën e grave shqiptare të cilat mbështesin vendin në skenën botërore, siç ishte në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku javën e kaluar Shqipëria ishte bashkëautore me Shtetet e Bashkuara në rezolutën që dënonte pushtimin rus të Ukrainës.
Ambasadorja Kim nxiti gratë udhëheqëse shqiptare që të mbështesin njëra-tjetrën dhe gjithashtu të këshillojnë vajzat e reja të cilat do të vazhdojnë të çojnë përpara barazinë gjinore.

