Kallas: BE të mos bjerë në “kurthin” rus për negociatat e paqes Ukrainë–Rusi
Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka paralajmëruar vendet anëtare që të mos përfshihen në debatet për emrat që mund të përfaqësojnë BE-në në negociatat e mundshme të paqes mes Rusisë dhe Ukrainës, duke e cilësuar këtë si një “kurth” të ngritur nga Moska.
Duke folur në takimin e ministrave të Jashtëm të BE-së në Limasol të Qipros, Kallas tha se Rusia po përpiqet të zhvendosë fokusin nga përmbajtja e negociatave te çështja se kush do të ulet në tryezën e bisedimeve.
“Në vend të kësaj, BE duhet të dakordësojë një listë kërkesash ndaj Rusisë dhe një strategji të qartë negociuese”, u shpreh ajo, duke theksuar se çdo lehtësim i sanksioneve duhet të kushtëzohet me përmbushjen e tyre.
Kallas hodhi poshtë gjithashtu diskutimet mbi emra të mundshëm ndërmjetësish, mes tyre ish-kancelari gjerman Gerhard Schröder, presidenti finlandez Alexander Stubb, Mario Draghi dhe Angela Merkel.
Ajo theksoi se “negociatat janë gjithmonë një proces ekipor” dhe se përmbajtja e marrëveshjes është më e rëndësishme se personat që marrin pjesë në to.
Sipas saj, përpjekjet ndërkombëtare për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë nuk kanë sjellë ende rezultate konkrete, ndërsa SHBA-ja nuk e ka më fokusin kryesor në këtë çështje për shkak të krizave të tjera globale.
Kallas u shpreh se sovraniteti i Ukrainës mund të vendoset vetëm nga Kievi, ndërsa BE po përgatit një qasje më të ashpër ndaj Rusisë, përfshirë paketa të reja sanksionesh.
Edhe ministri gjerman për Evropën, Gunther Krichbaum, deklaroi se presioni ndaj Moskës duhet të rritet, duke e akuzuar Rusinë për përshkallëzim të vazhdueshëm të luftës.
Në të njëjtën kohë, ministrat e Jashtëm të BE-së diskutuan edhe ndikimin e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe tensionet në Ngushticën e Hormuzit, të cilat kanë ndikuar tregtinë ndërkombëtare dhe sigurinë energjetike.
Kallas shprehu shpresën për një marrëveshje të mundshme mes SHBA-së dhe Iranit për uljen e tensioneve dhe paralajmëroi se situata aktuale mbetet “shumë e rrezikshme” për përshkallëzim të mëtejshëm.







