SHBA trajnon autoritetet e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut kundër krimit financiar dhe terrorizmit
Autoritetet ligjzbatuese amerikane po bashkëpunojnë me Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut për të forcuar luftën kundër krimit ndërkombëtar, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Lajmi u bë i ditur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara, e cila njoftoi se ekspertë të Hetimit Kriminal të Shërbimit të të Ardhurave të Brendshme (IRS-CI) zhvilluan trajnime për zyrtarë të rajonit në kuadër të një programi të Departamentit Amerikan të Drejtësisë dhe Departamentit të Shtetit.
Programi u drejtua nga Zyra për Zhvillimin, Ndihmën dhe Trajnimin e Prokurorisë Jashtë Vendit (OPDAT) dhe u financua nga Byroja Kundër Terrorizmit e Departamentit të Shtetit të SHBA-së.
Sipas Ambasadës Amerikane, gjatë trajnimit u prezantuan teknika dhe mjete të hetimit financiar që ndihmojnë në identifikimin e aktiviteteve të paligjshme, mbledhjen e provave për procedime penale dhe sekuestrimin e pasurive të përfituara nga veprimtari kriminale.
Autoritetet amerikane theksuan se forcimi i kapaciteteve të institucioneve ligjzbatuese në rajon kontribuon jo vetëm në sigurinë e vendeve partnere, por edhe në parandalimin e kërcënimeve që mund të prekin Shtetet e Bashkuara.
Sipas deklaratës, bashkëpunimi rajonal dhe shkëmbimi i ekspertizës mbeten elementë kyç në luftën kundër rrjeteve kriminale ndërkombëtare, financimit të terrorizmit dhe pastrimit të parave.







