Rama nga Dibra: PS ka dëshmuar se interesi kombëtar ka qenë gjithmonë mbi gjithçka
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me mbështetësit në Dibër, ku foli për zhvillimet e zonës, investimet infrastrukturore dhe historinë politike të Partisë Socialiste.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te rezultati i zgjedhjeve në Dibër, duke vlerësuar mbështetjen e qytetarëve dhe duke e cilësuar atë si një shprehje të mençurisë së dibranëve. Ai kujtoi gjithashtu takimet e mëparshme të zhvilluara në qytet dhe komentet që kishin shoqëruar fushatën elektorale.
Kryeministri vlerësoi rëndësinë e Rrugës së Arbrit, duke theksuar se kjo vepër ka transformuar lidhjen e Dibrës me Tiranën dhe ka shkurtuar ndjeshëm kohën e udhëtimit mes dy qyteteve.
Duke folur për historinë e Partisë Socialiste, Rama tha se forca politike që ai drejton ka ndërtuar një marrëdhënie të qëndrueshme me interesin kombëtar dhe ka luajtur një rol të rëndësishëm në momentet kyçe të historisë së vendit.
“Ai ka qenë një moment i daljes në pah të mençurisë së kësaj zone, me të cilën për një sërë arsyesh unë ndihem shumë i lidhur dhe më vjen mirë që kjo lidhje materializohet edhe me shpejtësinë e ardhjes.
Do të ishte e pamendueshme, para se ne ta ndërtonim rrugën e dibranëve, se kështu e quaj unë Rrugën e Arbrit. Do të ishte e pamendueshme të vije dhe të ktheheshe për një takim tjetër në Tiranë.
PS ka provuar më shumë se një herë që është e vetmja forcë politike e cila ka një marrëdhënie të kristaltë me interesin kombëtar. Dhe ndoshta shembulli kulmor është i lidhur me atë periudhë kur PS dhe lideri i saj historik, Fatos Nano, bombardoheshin nga të katërta anët si të lidhur me Beogradin.
Ishte PS, duke filluar nga qeveria e Nanos, që nuk la asgjë pa bërë për ta mbështetur hapur dhe mbyllur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe çlirimin e saj”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi se Partia Socialiste ka ndjekur një rrugë të qartë gjatë 35 viteve të fundit, duke e lidhur veprimtarinë e saj politike me interesat kombëtare dhe proceset e rëndësishme për zhvillimin e vendit.






