Ideologji apo interesa? Strategjia e Kinës për të mashtruar Perëndimin
Nga Bradley A.Thayer & Lianchao Han
Një çështje jetike me të cilën përballen Shtetet e Bashkuara, është nëse përplasja me Kinën duhet të bazohet tek ideologjitë – komunizmi përkundrejt liberalizmit – apo tek interesat e ndryshme, ku supozohet se ekzistojnë rrugë më të mëdha për bashkëpunim.
Ne e dimë që udhëheqja e Pekinit preferon publikisht këtë të fundit. Në dhjetor, “Global Times” e qeverisë kineze e siguroi popullin amerikan se tensionet Kinë-SHBA nuk janë rezultat i ideologjive por i interesave të ndryshme.
Sipas organit zëdhënës të Pekinit, udhëheqësit perëndimorë duhet të braktisin diskutimet e vlerave dhe aleancave të bazuara në vlera, dhe në vend të kësaj të përqafojnë “vlerat e përbashkëta të njerëzimit”. Ministri i jashtëm i Kinës, Wang Yi, ka argumentuar se për të përmirësuar marrëdhëniet kinezo-amerikane, që të dyja palët duhet të respektojnë sistemin politik të njëra-tjetrës. Ai vuri në dukje se SHBA-ja duhet që të respektojnë sistemin e Kinës, përndryshe nuk do të ketë një bashkëjetesë paqësore.
Në një artikull për “The New York Times” më nëntor 2020, ish-zv/ministri i jashtëm i Kinës, Fu Ying, përmendi termin “konkurrencë bashkëpunuese”, duke sugjeruar se Kina do të bashkëpunonte nëse SHBA-ja braktis qasjet e saj aktual ndaj Tajvanit, Hong Kongut dhe Detittë Kinës Jugore, dhe e pranon sjelljen revizioniste të Kinës mbi to.
Ajo beson se abuzimet me të drejtat e njeriut të Kinës, duhet të konsiderohen si çështje të brendshme. Ajo që bashkon argumentet e Kinës për ankorimin e konfrontimit tek interesat dhe jo ideologjia, është frika e Pekinit nga motivimi ideologjik i përplasjes.
Kuptimi i ndryshimit midis komunizmit dhe demokracisë liberale, përshkruan edhe natyrën themelore të konfliktit kinezo-amerikan:tirania kundër lirisë, një debat që SHBA e fiton lehtësisht, nëse është e gatshme të mbrojë demokracinë liberale.
Si për ironinë e fatit, Partia Komuniste Kineze (PKK) jo vetëm që e kupton rëndësinë e ideologjisë, por vepron gjithashtu sikur ekzistenca e saj të varet nga ajo. Siç thoshte dikur Mao Ce Duni:“Për të përmbysur një pushtet politik, është gjithmonë e nevojshme para së gjithash, të krijosh opinion publik, të bësh punë në sferën ideologjike”.
Udhëheqësi aktual i Kinës,Xi Jinping, ka deklaruar:“Puna ideologjike është një detyrë shumë e rëndësishme. Fakti sesa mirë mund t`a bëjmë këtë punë, dikton të ardhmen dhe fatin e partisë sonë, stabilitetin afatgjatë të vendit”.
Në vitin 2019, Xi e konsideroi sigurinë e ideologjisë si kriterin nr.1 për sigurinë e regjimit.
Ai theksoi:“Shpërbërja e një regjimi, fillon shpesh në sferën ideologjike. Trazirat politike dhe ndryshimi i regjimit mund të ndodhin brenda ditës, por ndryshimi ideologjik është një proces afatgjatë. Kur prishet linja mbrojtëse e ideologjisë, linjat e tjera të mbrojtjes janë të vështira për t’u ruajtur”.
Ai paralajmëroi se PKK duhet të shmangë gabimet e bëra nga Bashkimi Sovjetik, që u shpërbë pas një lufte “shumë të ashpër” në sferën ideologjike. Bota duhet t`a kuptojë që Partia Komuniste Kineze është diktatoriale. Xi e ka intensifikuar shumë kontrollin e mendimit në Kinë, duke urdhëruar ndalimin e diskutimit të vlerave të demokracisë kushtetuese, për një sistem gjyqësor të pavarur, dhe vlerave të tjera bazike perëndimore.
Ai bën pa pushim fushatë për t’i imponuar popullit kinez ideologjinë e PKK.Në rast se ideologjia është thelbësore për PKK, atëherë pse është kjo përpjekja e zërave të saj të vjetër për t’u fokusuar tek interesat në konfrontimin kinezo-amerikan? Ne besojmë se PKK e bën këtë për të mashtruar Perëndimin.
Në fakt, PKK e kupton plotësisht se ideologjia e saj është thembra e Akilit. Ideologjia bazohet në pohime të rreme se partia sundon në emër të “aleancës punëtore/fshatare”, e cila i siguron asaj një autoritet të vetë-justifikuar për të sunduar mbi 1.4 miliardë njerëz edhe pa pëlqimin e tyre.
Ideologjia e saj, shpjegon se cilat shtete janë aleate dhe cilat armike, dhe jep kësisoj arsyen përfundimtare të luftës me shtetet e tjera:Komunizmi duhet të mbrohet kundër armiqve të tij të pashmangshëm të klasave. Ideologjia është forca që unifikon dhe siguron kohezion për partinë dhe njerëzit me të njëjtin mendim në të gjithë botën.
Në fund, ajo përcakton edhe armikun e brendshëm, përfshirë ata që luftojnë për të drejtat e njeriut dhe armikun jashtë vendit. Ideologjia është ndërkaq një armë që do të përdoret për të zgjeruar ndikimin e PKK, dhe për të sfiduar legjitimitetin e demokracisë liberale, pasi kjo e fundit ofron alternativën e suksesit njerëzor, prosperitetit dhe lirisë përkundrejt shtypjes
së PKK.
Në fakt, vetëm 177 km larg, Tajvani dëshmon se demokracia liberale mund të funksionojë edhe për kinezët. PKK e di shumë mirë se nuk mund t`a mposhtë Perëndimin mbi baza ideologjike. Brenda vendit, ajo mbështetet tek terrori, çensurimi i informacionit, për të bllokuar idetë perëndimore, dhe për të indoktrinuar me forcë dhe mashtruar popullin kinez të besojë në epërsinë e socializmit me karakteristikat kineze.
Në marrëdhëniet e saj të jashtme, PKK e minimizon ideologjinë e saj si një taktikë për të mashtruar Perëndimin, dhe shpreson që ta zhvendosë debatin drejt interesave. Interesat mund të merren në ujdi dhe negociohen, por ideologjitë jo.
Në këtë mënyrë, PKK fsheh ambicien e saj strategjike të hegjemonisë botërore, dhe përpiqet të mashtrojë Perëndimin për t`a ulur vigjilencën e tij. Përpjekja e Kinës për të promovuar interesat mbi ideologjinë është një strategji e llogaritur e luftës politike për të arritur katër qëllime. Së pari, ajo i ndihmon përpjekjen e PKK për të pasur një epërsi ideologjike mbi demokracinë liberale.
Së dyti, ajo mund të çarmatosë SHBA-në nga “arma” e saj më e rëndësishme. Së treti, synon të çojë përpara një narrativë të pranueshme për politikë-bërësit perëndimorë, për të minimizuar perceptimin e Kinës si një kërcënim. Dhe së katërti, për perëndimorët dhe të gjithë audiencat e tjera, narrativa mbi interesat e përbashkëta është një mesazh shpresëdhënës, pozitiv për ata që i frikësohen Kinës.
Në realitet, dallimi midis ideologjisë dhe interesit është i rremë. Ideologjia përcakton kryesisht interesat. Ideologjia shpjegon pse PKK shtyp ujgurët, tibetianët dhe popujt e tjerë etnikë, banorët e Hong Kongut dhe aktivistët e demokracisë në Kinë.
Ajo përcakton se pse PKK duhet të shkatërrojë demokracinë liberale dhe të përballet me SHBA-në. Ngjashëm, është ideologjia ajo që shpjegon se pse SHBA-ja duhet që t`a mbrojë veten nga agresioni i Kinës.
Shënim: Bradley A.Thayer, është profesor i shkencave politike në Universitetin e Teksasit, dhe bashkautor i librit “Si e sheh Kina botën”. Lianchao Han, është nënkryetar i Nismave të Fuqizimit Qytetar për Kinën. Ai ka punuar për 12 vjet në Senatin e SHBA-së. / The Hill
Eunews.al