“Gjermania e angazhuar për fillimin e shpejtë të bisedimeve për anëtarësim në BE të Shqipërisë”
Pas vlerësimeve pozitive të Komisionit Europian për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, Gjermania është e angazhuar për një fillim të shpejtë të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian të këtyre vendeve, tha ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas.
Sipas njoftimit për shtyp të Ministrisë së Jashtme gjermane, Maas tha se të dyja vendet kanë bërë përparim në reformat kryesore, para së gjithash në forcimin e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit.
“Ne ndajmë vlerësimin pozitiv të Komisionit Evropian. Kjo është arsyeja pse ne mbështesim një fillim të shpejtë të negociatave të qasjes me të dy vendet “, u shpreh Maas.
Ai thekson gjithashtu se negociatat janë instrumenti më i mirë për të mbështetur Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut për përparim të mëtejshëm.
“Pa një shenjë inkurajuese nga BE-ja, ne rrezikojmë progresin e madh të viteve të kaluara. Kjo do të dëmtonte interesat e BE-së dhe Gjermanisë. Ne kemi nevojë për vende të qëndrueshme, të afta për të përmbushur sfidat dhe për të respektuar sundimin e ligjit në Ballkanin Perëndimor”, përfundoi Maas.
Komisioni Evropian publikoi dje përditësimet për reformat në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut, duke rirekomanduar kështu edhe një herë hapjen e negociatave për anëtarësim për të dyja vendet.
Eunews.al