Franca ndalon cisternën e “flotës fantazmë” ruse pranë Siçilisë, Macron: Nuk do të lejojmë shmangien e sanksioneve
Forcat detare franceze kanë ndaluar dhe kontrolluar një cisternë nafte të lidhur me të ashtuquajturën “flotë fantazmë” të Rusisë, në një operacion të zhvilluar pranë brigjeve të Siçilisë, në kuadër të përpjekjeve europiane për të penguar anashkalimin e sanksioneve ndaj Moskës.
Lajmin e bëri të ditur presidenti francez Emmanuel Macron, i cili publikoi edhe pamje nga operacioni, ku shihen efektivët e marinës franceze duke hipur në bordin e anijes dhe duke kryer kontrolle.
Sipas Macron, cisterna me emrin Deliver u ndalua pasi po lundronte në kundërshtim me rregullat e së drejtës ndërkombëtare detare.
Sipas të dhënave të inteligjencës ushtarake ukrainase, Deliver mban flamurin e Kamerunit dhe, që prej vitit 2024, është përdorur për eksportin e naftës ruse, kryesisht nga portet e Detit Baltik dhe Detit të Zi.
Anija konsiderohet pjesë e të ashtuquajturës “flotë fantazmë”, një rrjet cisternash që Rusia përdor për të shmangur kufizimet perëndimore ndaj eksporteve të energjisë. Këto mjete lundruese operojnë përmes kompanive me pronësi të paqartë, flamujve të vendeve të treta dhe skemave të tjera që fshehin origjinën e ngarkesave dhe pronësinë reale të anijeve.
Operacioni francez vjen vetëm pak ditë pasi autoritetet britanike ndaluan dhe kontrolluan cisternën ruse Smyrtos në Kanalin Anglez. Sipas Londrës, operacioni zgjati rreth gjashtë orë dhe përfshiu komandot detare, oficerë të Agjencisë Kombëtare të Krimit, helikopterë ushtarakë dhe anije të Marinës Mbretërore.
Macron e cilësoi aksionin si dëshmi të koordinimit mes vendeve europiane në zbatimin e sanksioneve kundër Rusisë.
“Ky veprim i fundit kundër flotës fantazmë, i zhvilluar vetëm pak ditë pas një operacioni të ngjashëm nga Mbretëria e Bashkuar, tregon vendosmërinë e europianëve”, deklaroi presidenti francez.
Ai theksoi se vendet europiane nuk do të lejojnë që këto anije të vazhdojnë të anashkalojnë sanksionet ndërkombëtare dhe të financojnë luftën e Rusisë në Ukrainë.
“Ne nuk do të lejojmë që flota fantazmë të anashkalojë sanksionet dhe të financojë luftën e Rusisë”, u shpreh Macron.







