×
E hënë, 30 Nëntor, 2020

Festa Kombëtare e Francës/ Ruçi: Besim se negociatat do të çelen brenda këtij viti

14 Korrik, 2020

“Ne kemi besim se do të kemi edhe mbështetjen e Asamblesë Kombëtare dhe të Francës që negociatat të çelen brenda këtij viti dhe të fillojë sa më parë  diskutimi i kapitujve të tyre”, shprehet Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, në një letër urimi që i ka dërguar sot Presidentit të Asamblesë Kombëtare të Francës, Richard Ferrand, me rastin e 14 korrikut, Festës Kombëtare të Republikës Franceze.

“Me rastin e 14 korrikut, Festës Kombëtare të Francës,  Ju dërgoj urimet më të ngrohta të Kuvendit të Shqipërisë dhe të miat personalisht. Revolucioni francez u bë një moment kthese jo vetëm në historinë e Francës, por në historinë botërore. Franca u lartësua si atdheu i lirive dhe i të drejtave të qytetarëve dhe vazhdon të ndriçojë dhe të influencojë popujt e botës drejt lirive, të drejtave, mirëqenies, demokracisë, kushtetueshmërisë, sundimit të shtetit të së drejtës, solidaritetit dhe paqes”, shprehet Ruçi.

Ai thekson se, “Franca është një vend mik dhe partner i rëndësishëm i Shqipërisë në rrugën tonë drejt demokracisë, zhvillimit, progresit dhe bashkimit me familjen europiane”.

“Gjej rastin që, në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim personal, të falenderoj Asamblenë Kombëtare të Francës dhe Ju personalisht për mbështetjen ndaj rrugëtimit europian të Shqipërisë. Siç jeni në dijeni, Këshilli Europian vendosi çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe ky vendim është rezultat edhe i mbështetjes së Presidentit Macron, Asamblesë Kombëtare dhe Tuajës personalisht”, shton Ruçi.

“Kuvendi i Shqipërisë është aktualisht i angazhuar në mbështetjen e reformave të rëndësishme në kuadrin e integrimit europian të Shqipërisë, si reforma zgjedhore, reforma në drejtësi dhe plotësimi i rekomandimeve të Këshillit Europian, për përgatitjen e kuadrit negociues. Ne kemi besim se do të kemi edhe mbështetjen e Asamblesë Kombëtare dhe të Francës që negociatat të çelen brenda këtij viti dhe të fillojë sa më parë  diskutimi i kapitujve të tyre”, nënvizon Ruçi.

“Duke përfunduar, më lejoni, Zoti President, të shpreh edhe njëherë kënaqësinë se Franca po del nga situata e pandemisë dhe populli francez po i kthehet jetës normale dhe Kuvendi i Shqipërisë dhe Asambleja Kombëtare e Francës do të vazhdojnë bashkëpunimin midis tyre”, thekson Ruçi.

“Kam kënaqësinë që t’Ju ftoj për një vizitë zyrtare në Tiranë, në një kohë të përshtatshme për Shkëlqesinë Tuaj”, shkruan në letrën e tij të urimit Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për