Eunews zbardh axhendën e mbledhjes së Ministrave të Jashtëm të BE-së: PO hapjes së negociatave të Shqipërisë



Mbledhja e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Europian është zëvendësuar nga një video-konferencë e Ministrave të Jashtëm të BE-së, e cila do të fillojë rreth orës 12 të ditës së sotme.
Eunews.al ka mësuar pikat e kryesore të axhendës së mbledhjes, të cilat do të diskutohen gjatë ditës së sotme.
Ministrat e Jashtëm të BE-së gjatë takimit do të shkëmbejnë mendime mbi zgjerimin dhe procesin e stabilizim asociimit, duke u përqëndruar konkretisht mbi Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Eunews ka mësuar gjithashtu se në videokonferencën që do të mbahet gjatë ditës së sotme, ministrat e Jashtëm të BE-së do të marrin vendim pro çeljes së negociatave me shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Këshilli diskutoi për herë të fundit hapjen e negociatave të pranimit me të dy vendet në mbledhjen e tij në 15 tetor 2019. Këshilli Europian më 17-18 tetor 2019 vendosi t’i kthehej çështjes së zgjerimit përpara samitit BE-Ballkan Perëndimor në Zagreb në maj 2020.
Që atëherë, Komisioni ka parashtruar propozimet e tij për forcimin e procesit të pranimit me qëllimin e përgjithshëm për të rritur besueshmërinë dhe besimin nga të dy palët dhe për të dhënë rezultate më të mira në terren.
Komisioni gjithashtu ka paraqitur përditësimet mbi përparimin e reformave në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut.
Mbi këtë bazë, ministrat e Jashtëm të BE-së gjatë mbledhjes së sotme do të zhvillojnë një debat politik mbi hapjen e negociatave të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Eunews.al

