COVID -19 ndryshon vizionin për të ardhmen, «gjenerata e karantinuar»!
Nga Anxhela Bakiasi
A janë të rinjë “më të privilegjuar” apo “më të penalizuarit” ndaj COVID?
Mars 2020, Drejtori i Përgjithshëm OBSH njoftoi se COVID-19 nuk është më një farsë dixhitale në Wuhan-in e largët por është një pandemi globale në zhvillim, sidomos në Europë. Moment i cili alarmoi dhe mobilizoi të gjithë europianët për të parandaluar zhvillimin e përhapjes së kësaj pandemie por mesa duket për disa vende ishte vonë.
Të drejtat themelore të njeriut (parimore) nuk njihnin limite, situata ishte tërësisht nën-kontrollin e COVID-19 (agresivitetit dhe imunitetit të pandemisë). Papritur u detyruam ti përshtateshim një stili të ri jete. Stil i cili na kufizoi fillimisht nga prania e njerëzve tanë më të afërt ku “distance sociale” për të parën herë u kthye në mjet mbrojtës. Në vazhdim, ky stil jetese vijoj të na privonte aksesueshmërinë e punës prej të cilës sigurojmë jetesën, udhëtimeve, takimeve të rëndësishme dhe organizimeve në grupime. Qartazi, COVID-19 u kthye në temën e ditëve, javëve dhe muajve, ndërkohë pasiguria dhe ankthi janë tanimë ndjesitë që kanë pushtuar pjesën më të madhe të planetit.
Shtator 2020, prej muajsh tashmë jemi duke u përballuar me një situatë të vështirë e cila ndonëse nuk duket aq kërcënuese si në fillimet e saj përsëri ndodhemi në kushte akoma më të pazakonta. Përgjatë kësaj situate pandemike, të rinjtë janë cilësuar si “shtresa e privilegjuar”, cilësuar si më pak “të përzgjedhurit” nga virusi ndërkohë që duhet të kujdeseshin për të afërmit e tyre më të moshuar.
Ndonëse është e vërtetë që për shkak të imunitetit më të fortë, ne ndoshta jemi pjesa më pak e rrezikuar gjatë kësaj “krize shëndetësore”, por a jemi realisht “shtresa më e privilegjuar” apo qëndron krejt e kundërta?
Shpesh duket sikur harrojmë që kjo “krizë shëndetësore globale” ka dhënë impaktin e saj në ekonomi dhe shoqëri duke thelluar më tej problemet ekonomike dhe sociale. Nëse mendojmë që jemi të privilegjuar përsa i përket “krizës shëndetësore” atëherë cfarë mund të themi për krizën ekonomike dhe sociale – a mbetemi plotësisht të privilegjuar?! Sipas Organizatës Botërore të Punës (OBP) 1 nga 6 të rinj kanë humbur punën për shkak të pasojave të situatës pandemike në ekonomi. Në kontinentin europian, të rinjtë cilësohen si shtresa më vulnerabël si pasoje e COVID-19.
Për më tepër, vlen të përmendet se busulla orientuese por dhe organi monitories e mbrojtës i të drejtave dhe zhvillimit të të rinjve janë organizata e drejtuar nga të rinjtë për të rinjtë. Organizatat rinore të shoqërisë civile qartazi po detyrohen të reduktojnë aktivitetin e tyrë advokues dhe lobues për të rinjtë si pasojë e mos-organizimit të grumbullimeve apo mos-konsiderimin e të rinjve në axhendën politike. Rrjedhimidht kanë humbur jo vetëm drejtuesit apo anëtarët e organizatave por dhe shumë të rinj, të cilëve mundësitë e zhvillimit apo mbrojtjes së të drejtave të tyre sigurohet nga OSHC rinore. Para, në një farë mënyre me reduktimin e aktivitetit apo mbylljen e të tilla organizatave të rinjtë “dëgjohen më pak” dhe si pasojë e drejta e tyre në vendimmarrje për shumë problematika që i prekin vjen duke u kufizuar.
Kjo krizë shendetësore është duke u kthyer në një krizë sociale dhe ekonomike duke prekur të rinjtë më së shumti ,pasi prek fillimisht procesin e edukimit tonë ,sistem i cili është duke ndryshuar për shak të virusit ndërkohë shumë trajnime apo intershipe janë shtyrë ose janë janë anulluar duke realizuar në të tillë mënyrë shkëputjen e një hallke në zinxhirin e edukimit të të rinjve, pa tejkalimin e së cilës nuk mund të vazhdohet më tej pra nuk mund të shkohet drejt tregut të punës.
Një pjesë e trajnimeve apo leksioneve kanë kaluar online, gjë e cila është një mundësi shumë e mirë për të vazhduar për ata të cilët kanë akses, por nga ana tjetër është një penalizim për të gjithë ata të rinj të cilët nuk kanë akses në internet dhe në këtë mënyrë nuk mund të përfitojnë nga kjo mundësi duke bërë që të ngelin pas kolegëve të tyre dhe të mos jenë në gjëndje të kapin ritmin e këtij “procesi të shpejtë tranzicioni”.
Pas edukimit vjen procesi i punësimit, efektet në të cilin kanë filluar të ndjehen. Nëse bazohemi dhe hedhim një sy efekteve që krizat e tjera kanë patur në këtë drejtim ,shohim që prej krizës së 2008 papunësia tek të rinjtë është rritur më shumë se dyfishi i normës së përgjithshme të papunësisë në Europë sipas OBP. Fillimi i karrierës ende vështirësohet më shumë…
Në praninë e kësaj krize të re do të jenë sërish të rinjtë që do të humbasim punën pasi në Europë të rinjtë janë kryesisht të punësuar në sektorët më të goditur të ekonomisë si: sektori i shërbimeve, ushqimit dhe akomodimit, duke patur parasysh faktin që kryesisht të rinjtë e fitojnë eksperiencën në këtë sektor. Duke mos patur një eksperiencë të gjerë punësimi, shumë të rinj nuk do të arrijnë të përfitojnë as nga benefitet e papunësisë në shumë vende të Europës, duke e kthyer fitimin e të ardhurave në një sfidë shumë të vështirë për ta.
Nga ana tjetër duke kufizuar jetën tonë të përditshme në mënyrë të papritur “mbyllja” ka ndikuar në mënyrë jo proporcionale në shëndetin tonë mendor. Të dhëna tregojnë se të rinjtë janë ndjerë më të vetmuar dhe të trishtuar gjatë “procesit të mbylljes”
Duke qënë se ne ndeshemi me më shumë pasiguri për të ardhmen, niveli i stresit dhe depresionit do të vijë duke u rritur gjatë muajve apo viteve të ardhshme. Nësë këto shenja shqetësuese vijnë duke u thelluar pa u marrë parasysh apo pa u marrë masa kundrejt tyre ne do të cilësohemi sipas një artikulli “gjenerata e karantinuar” duke mbartur frikën për dekadat që do të vijnë në formën e mungesës së edukimit, nivelit më të lartë të papunësisë, shëndetit jo të mirë fizik dhe mendor dhe së fundmi të ardhurave më të pakta.. Pra ndoshta nuk jemi të privilegjuarit e Covid sic mund te duket, por më të P E N A L I Z U A R I T në terma afat-gjatë.
Eunews.al