Rama: Naim Frashëri, udhërrëfyes i Shqipërisë drejt Europës në 180-vjetorin e lindjes
Kryeministri Edi Rama ka publikuar një mesazh në rrjetet sociale në kuadër të 180-vjetorit të lindjes së Naim Frashëri, duke e lidhur figurën e tij me rrugëtimin europian të Shqipërisë.
Në postimin e tij në Facebook, Rama e cilësoi këtë përkim si një moment domethënës për vendin, ndërsa Shqipëria po avancon në procesin e anëtarësimit në Bashkimi Europian.
Ai e vlerësoi Naim Frashërin si një nga figurat më të rëndësishme të identitetit kombëtar dhe si frymëzues të aspiratës shekullore të shqiptarëve drejt Europës.
“Është një mister i gëzueshëm, që drita jeshile për çeljen e fazës mbyllëse të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe mbajtjen e Konferencës Ndërqeveritare Shqipëri-Bashkim Europian, të vezullojë në harkun e 180-vjetorit të lindjes së Naim Frashërit, udhërrëfyesit gjenial të aspiratës sonë shekullore drejt ‘Diellit që lind andej nga perëndon’.
Me mirënjohje të madhe e kujtojmë në këtë 25 maj ‘Shqipëribërësin’ e madh dhe të pavdekshëm, duke e thirrur Orën e Mirë të shpirtit të tij për ditët e mira që paskëtaj vijnë për kombin e për shtetin tonë.
Me punën tonë të përbashkët, nën dritën e amanetit të tij dhe rilindësve tanë, e me ndihmën e Zotit Shqipëria 2030, do ta kurorëzojë atë vit të 130-vjetorit të vdekjes së Naim Frashërit si Vitin Europian të Naimit, vitin e ‘Diellit që lind andej nga perëndon’. Dhe nëse siç tha Konica, kur u shtie në dhé Naimin e përcollën 300 shqiptarë, në Shqipërinë 2030 Shqipëribërësin e madh do ta kremtojë të gjallë një popull i tërë, i bërë njësh me familjen e Europës së Bashkuar”, shkruan Rama.
Në përfundim, kreu i qeverisë theksoi se rruga drejt Europës mbetet një projekt i përbashkët kombëtar, i mbështetur mbi trashëgiminë e rilindësve dhe vizionin për një Shqipëri të integruar në familjen europiane.








