×
Thursday, June 4, 2026

Begaj për tragjedinë në Shëngjin: Të forcohen masat e sigurisë në plazhe

June 3, 2026


Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, reagoi pas ngjarjes tragjike të ndodhur në Shëngjin, ku humbën jetën dy të rinj nga Kosova.

Përmes një mesazhi publik, kreu i shtetit shprehu ngushëllimet për familjarët dhe të afërmit e viktimave, ndërsa uroi shërim të shpejtë për tre të rinjtë e tjerë të lënduar.

“Me hidhërim të thellë mësova për ngjarjen tragjike që u mori jetën dy të rinjve nga Kosova sot në Shëngjin. Në këto çaste të vështira, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet dhe të afërmit e viktimave, ndërsa uroj shërim sa më të shpejtë për tre shokët e tyre”, shkroi Begaj.

Presidenti theksoi se kjo tragjedi duhet të shërbejë si një thirrje për më shumë kujdes dhe respektim të masave të sigurisë në zonat bregdetare.

Ai u bëri apel institucioneve qendrore dhe vendore, si dhe operatorëve turistikë, të marrin të gjitha masat e nevojshme për garantimin e sigurisë gjatë sezonit veror.

Sipas Begajt, forcimi i masave parandaluese dhe rritja e vigjilencës janë të domosdoshme për të shmangur ngjarje të ngjashme dhe për të mbrojtur jetën e pushuesve dhe vizitorëve në plazhet e vendit.




Comments are closed.