BE plane për t’i dhënë fund varësisë nga gazi rus
Komisioni Evropian do të njoftojë të marten propozime të reja për të çliruar me shpejtësi vendet e BE-së nga varësia energjetike e Rusisë.
“Ne duhet të heqim dorë nga varësia nga gazi, nafta dhe qymyri rus”, tha presidentja e komisionit Ursula von der Leyen në Bruksel gjatë një takimi me kryeministrin italian Mario Draghi.
Plani për t’i dhënë fund varësisë nga Rusia vjen mes frikës se pushtimi i Ukrainës mund të ndikojë në furnizimin me energji në BE. Gazi rus dërgohet në bllok përmes territorit ukrainas.
Ka gjithashtu shqetësime se Moska mund të ndërpresë furnizimin në përgjigje të sanksioneve që BE-ja vendosi ndaj Rusisë për pushtimin e Ukrainës.
BE-ja importon shumicën dërrmuese të gazit natyror që konsumon, dhe në vitin 2019 gazi rus përbënte 41% të importeve.
Atë vit, më shumë se një e katërta e importeve të naftës së papërpunuar të BE-së (27%) dhe pothuajse gjysma e importeve të qymyrit dhe karburantit të ngurtë (47%) ishin nga Rusia.
Von der Leyen tha se planet përfshijnë përmirësimin e efikasitetit energjetik të bllokut, rritjen e investimeve në prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe ndryshimin e burimeve të energjisë të BE-së në “furnizues më të besueshëm”.
“Propozimet synojnë të eliminojnë varësinë nga nafta dhe gazi rus, jo thjesht ta zvogëlojnë atë”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Eric Mamer.
BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara po punonin për të siguruar furnizime të qëndrueshme me energji përpara pushtimit të Rusisë, ku gazi natyror i lëngshëm (LNG) ishte identifikuar si një alternativë.







