BE paralajmëron Kosovën: Vonesat me institucionet rrezikojnë fondet

11 Aug 2026 12:27
Shpërndaje:

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar Kosovën se zvarritja e funksionalizimit të institucioneve mund të ketë pasoja konkrete në zbatimin e reformave dhe në përfitimin e mbështetjes financiare nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Në një përgjigje për RTV21, një zëdhënës i Komisionit Evropian u ka bërë thirrje forcave politike në Kosovë që të angazhohen në një dialog efikas ndërpartiak dhe të gjejnë një marrëveshje për tejkalimin e bllokadës institucionale.

Sipas Brukselit, krijimi dhe funksionalizimi i institucioneve pa vonesa të mëtejshme është thelbësor jo vetëm për stabilitetin politik të vendit, por edhe për përmbushjen e detyrimeve që lidhen me procesin e reformave.

Reklamë Ola

“BE-ja u ka bërë vazhdimisht thirrje të gjithë aktorëve politikë që të sigurojnë stabilitet institucional. Është thelbësore që institucionet e Kosovës të konstituohen pa vonesa të mëtejshme”, ka deklaruar zëdhënësi i Komisionit Evropian.

BE-ja kërkon që procesi të zhvillohet në përputhje me Kushtetutën dhe procedurat përkatëse, ndërsa paralajmëron se vazhdimi i ngërçit mund të ndikojë drejtpërdrejt në aftësinë e Kosovës për të zbatuar reformat e kërkuara.

Reklamë InterMedika

Kjo, sipas Komisionit Evropian, mund të ketë pasoja edhe në përfitimin e plotë të fondeve që i janë vënë në dispozicion Kosovës në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

“Vetëm një dialog efikas ndërpartiak dhe një qëllim i përbashkët do t’i mundësojnë Kosovës të ndjekë objektivat e përbashkëta dhe të zbatojë reformat që kërkojnë qytetarët e saj”, thuhet në përgjigjen e BE-së.

Kosova rrezikon një pjesë të financimit

Paralajmërimi vjen në një moment kur Kosova rrezikon të mos përfitojë një pjesë të fondeve nga Instrumenti për Reforma dhe Rritje për shkak të vonesave në realizimin e objektivave të përcaktuara.

Institucionet e Kosovës paraqitën më 15 korrik 2026 kërkesën e parë për disbursimin e fondeve, ndërsa Komisioni Evropian është duke shqyrtuar raportimin për hapat dhe reformat e realizuara.

Megjithatë, vonesat në përmbushjen e disa objektivave kanë ngritur pikëpyetje nëse Prishtina do të jetë në gjendje të përfitojë të gjithë shumën e parashikuar.

Reformat e përfshira në kërkesën e Kosovës lidhen me objektiva që duhej të realizoheshin në dhjetor 2024, qershor 2025 dhe qershor 2026.

Në këtë situatë, mungesa e institucioneve plotësisht funksionale mund të krijojë pengesa të tjera në miratimin dhe zbatimin e masave të nevojshme, duke shtuar rrezikun e humbjes së një pjese të financimit evropian.

Brukseli po kërkon për këtë arsye që forcat politike të gjejnë sa më shpejt një rrugëdalje nga bllokada. Për BE-në, stabiliteti institucional dhe përmbushja në kohë e reformave mbeten elementë kyç që përcaktojnë edhe nivelin e mbështetjes financiare që Kosova mund të përfitojë nga Plani i Rritjes.