Tregtia e energjisë elektrike mes Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet e bllokuar, pavarësisht skadimit të afatit të vendosur nga Komuniteti i Energjisë për ndërmarrjen e masave që do të mundësonin funksionalizimin e kapaciteteve ndërkufitare.
Autoritetet në Kosovë thonë se situata po krijon kosto të konsiderueshme, pasi energjia duhet të importohet dhe eksportohet përmes rrugëve alternative. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, vetëm gjatë vitit 2024, mungesa e funksionimit të tregtisë në kufirin Kosovë-Serbi i ka kushtuar Kosovës dhe rajonit mbi 150 milionë euro.
Megjithatë, ministria nuk ka bërë publike metodologjinë mbi të cilën është përllogaritur kjo shumë.
KOSTT: Nuk ka tregti me Serbinë që prej vitit 2020
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës, KOSTT, thotë se që prej vitit 2020 nuk zhvillohet tregti e energjisë elektrike mes Kosovës dhe Serbisë.
Problemi nuk lidhet domosdoshmërisht me pamundësinë fizike që energjia të kalojë nga një sistem në tjetrin, por me mungesën e funksionalizimit të mekanizmave tregtarë dhe të ndarjes së kapaciteteve ndërkufitare.
Kosova aktualisht e zhvillon tregtinë përmes linjave me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Përdorimi i këtyre rrugëve alternative, sipas autoriteteve kosovare, sjell tarifa shtesë transmetimi dhe ushtron më shumë presion mbi kapacitetet e tjera ndërkufitare.
Ministria e Ekonomisë thotë se në raste të caktuara kostoja e transmetimit të një megavati energji ka arritur deri në 800 euro, megjithëse nuk ka specifikuar rastet konkrete kur është regjistruar kjo kosto apo diferencën që do të ekzistonte nëse energjia do të tregtohej drejtpërdrejt përmes Serbisë.
Kosova shpenzoi rreth 250 milionë euro për importin e energjisë
Çështja bëhet veçanërisht e rëndësishme gjatë periudhave kur prodhimi vendas nuk është në gjendje të mbulojë kërkesën për energji elektrike.
Kosova vazhdon të jetë e varur nga importet, sidomos gjatë dimrit, kur rritet konsumi dhe problemet apo kufizimet në termocentralet me qymyr mund të reduktojnë prodhimin.
Ndërkohë, kapacitetet nga burimet e rinovueshme nuk janë ende të mjaftueshme për të mbuluar të gjithë kërkesën.
Vetëm gjatë vitit 2024, Kosova shpenzoi rreth 250 milionë euro për importin e energjisë elektrike.
KESCO, e vetmja ndër kompanitë e kontaktuara nga Radio Evropa e Lirë që dha një përgjigje për këtë çështje, nuk përcaktoi një shumë konkrete të kostove shtesë, duke theksuar se çmimi i importit ndikohet nga një sërë faktorësh.
Çfarë ndryshoi në vitin 2020?
Ngërçi aktual lidhet edhe me ndryshimin e statusit të sistemit energjetik të Kosovës.
Në fund të vitit 2020, KOSTT nisi të funksionojë si zonë e pavarur rregulluese. Deri në atë moment, Kosova kishte qenë pjesë e një blloku rregullues së bashku me Serbinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Pas ndryshimit, sistemi kosovar u bashkua me zonën rregulluese të Shqipërisë dhe u aktivizua linja e interkoneksionit 400 kV Kosovë-Shqipëri, e njohur edhe si “Autostrada energjetike Kosovë-Shqipëri”.
Por pas këtij zhvillimi, tregtia në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë nuk u funksionalizua.
Prishtina akuzon Serbinë për moszbatimin e vendimit
Ministria e Ekonomisë së Kosovës thotë se Serbia nuk ka zbatuar vendimin e Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë për krijimin e kushteve të nevojshme për tregtinë ndërkufitare.
Afati i vendosur ishte 1 korriku 2026, por situata vazhdon të mbetet e pazgjidhur edhe pas kësaj date.
“Republika e Kosovës vazhdon të kërkojë zbatimin e plotë të këtij vendimi, pasi vënia në dispozicion e kapaciteteve ndërkufitare është e rëndësishme për mundësimin e tregtisë së energjisë elektrike, funksionimin e tregut rajonal të energjisë dhe integrimin e mëtejshëm të tregut energjetik të Evropës Juglindore”, ka deklaruar Ministria e Ekonomisë.
Sipas autoriteteve kosovare, problemi kryesor është mungesa e koordinimit mes KOSTT-it dhe Operatorit të Sistemit të Transmisionit të Serbisë, EMS, për ndarjen e kapaciteteve ndërkufitare.
KOSTT pretendon se i ka kërkuar vazhdimisht palës serbe koordinim, por nuk ka marrë përgjigje konkrete.
Serbia: Transmetimi fizik i energjisë nuk është ndërprerë
Beogradi paraqet një interpretim tjetër të situatës.
Ministria serbe e Minierave dhe Energjetikës thotë se nuk ekziston një ndërprerje fizike e transmetimit të energjisë elektrike mes dy sistemeve.
Sipas Serbisë, çështja që po diskutohet lidhet me integrimin e tregut, koordinimin dhe mënyrën e ndarjes së kapaciteteve ndërkufitare.
Beogradi argumenton gjithashtu se kuadri rregullator mbi të cilin ishte trajtuar më parë çështja është zëvendësuar nga rregullat e reja të Pakos për Integrimin e Energjisë Elektrike.
“Brenda kompetencave të saj, Republika e Serbisë ka ndërmarrë aktivitetet e nevojshme sipas kuadrit të ri rregullator, përfshirë krijimin e kushteve të nevojshme për koordinimin rajonal të alokimit të kapaciteteve të transmisionit ndërkufitar”, ka deklaruar ministria serbe.
Edhe EMS pretendon se energjia vazhdon të qarkullojë fizikisht mes dy sistemeve.
Marrëveshjet e energjisë ende pa zbatim të plotë
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për sektorin e energjisë në vitet 2013 dhe 2015, ndërsa në vitin 2022 miratuan edhe një udhërrëfyes për zbatimin e tyre.
Megjithatë, marrëveshjet nuk janë zbatuar plotësisht.
Në sfond vazhdon edhe mosmarrëveshja politike mes dy vendeve, pasi Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Kjo situatë ka ndikuar ndër vite edhe në përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e Kosovës në mekanizmat rajonalë dhe ndërkombëtarë të energjisë.
Çfarë mund të ndodhë pas skadimit të afatit?
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e ngriti çështjen gjatë takimit joformal të Këshillit Ministror të Komunitetit të Energjisë, të zhvilluar më 2 korrik në Prishtinë.
Deri tani nuk është përcaktuar një afat i ri.
Çështja vazhdon të monitorohet nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë, i cili mund të propozojë masa të mëtejshme nëse konstatohet vazhdimi i moszbatimit të vendimit.
Megjithëse 1 korriku ishte afati për ndërmarrjen e veprimeve të kërkuara, detyrimi për zbatimin e vendimit nuk është shuar.
Në rast të moszbatimit të një vendimi detyrues, Këshilli Ministror mund të konstatojë një shkelje serioze dhe, sipas Traktatit të Komunitetit të Energjisë, të vendosë masa që mund të përfshijnë edhe pezullimin e disa të drejtave që burojnë nga Traktati.
Në fund, faturën mund ta paguajnë konsumatorët
Përtej përplasjes institucionale mes Prishtinës dhe Beogradit, kostot shtesë të tregtisë së energjisë mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta edhe për qytetarët e Kosovës.
Profesori Adhurim Haxhimusa nga Universiteti Zviceran i Shkencave të Aplikuara shpjegon se Zyra e Rregullatorit për Energji merr në konsideratë edhe kostot e importit gjatë shqyrtimit të tarifave.
Nëse shpenzimet shtesë të importit dhe transmetimit konsiderohen të arsyeshme, ato mund të përfshihen në tarifat përfundimtare dhe të reflektohen në faturat e konsumatorëve.
“Këto shpenzime shpërndahen tek konsumatorët përmes rritjes së tarifave të energjisë elektrike, ashtu siç kemi pasur edhe viteve të kaluara”, tha Haxhimusa.
Çmimet e energjisë në Kosovë kanë pësuar rritje edhe gjatë viteve të fundit. Në vitin 2025, ZRRE miratoi një rritje prej 16.1% të tarifave për familjet dhe bizneset me deri në 50 punonjës, ndërsa në vitin 2023 ishte miratuar një tjetër rritje prej rreth 15% për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.
Për sa kohë që tregtia në kufirin Kosovë-Serbi nuk funksionalizohet, Kosova do të vazhdojë të mbështetet te rrugët alternative për importin dhe eksportin e energjisë, me kosto që mund të ndikojnë jo vetëm te kompanitë energjetike, por në fund edhe te konsumatorët.


