Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje se po veprojnë në mënyrë antikushtetuese dhe se po përpiqen të prolongojnë procesin e konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
Në një prononcim për mediat, Hamza deklaroi se përgjegjësia për situatën e krijuar bie mbi ata që kanë thirrur seancën, ndërsa theksoi se Kuvendi ka strukturat e veta ligjore që duhet të garantojnë respektimin e procedurave.
“Shkeljen e bënë ai që ka thirrur seancën, Kuvendi ka zyrë ligjore. Ata duhet me mendue mirë pse po e bëjnë këtë. Kjo është një qëllim i Kurtit për me i prolongue konstituimin e Kuvendit”, deklaroi Hamza.
Kreu i PDK-së bëri të ditur se partia e tij do ta shqyrtojë situatën edhe nga aspekti kushtetues dhe juridik. Ai kujtoi se PDK-ja ka dërguar edhe më parë çështje në Gjykatën Kushtetuese dhe, sipas tij, ka fituar një numër të konsiderueshëm të rasteve.
“Ne do ta shqyrtojmë si rast, ju e dini se kemi fituar numër të madh të rasteve në Gjykatë Kushtetuese”, u shpreh ai.
Hamza: Kosova nuk është pronë e asnjë partie
Hamza theksoi se institucionet e Kosovës nuk mund të trajtohen si pronë e një force të vetme politike, ndërsa kërkoi respektimin e rendit kushtetues dhe procedurave për funksionalizimin e institucioneve.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur procesi i konstituimit të Kuvendit është shoqëruar me përplasje të forta politike. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka argumentuar se duhet t’u jepet më shumë kohë diskutimeve politike për arritjen e një marrëveshjeje për çështjen e presidentit të ri, përpara se të procedohet me konstituimin e plotë të institucioneve.
Hamza, nga ana tjetër, e konsideron këtë qasje si një përpjekje për të zvarritur procesin.
PDK e hapur për bashkëpunim me partitë e tjera
Kreu i PDK-së sqaroi gjithashtu se partia që ai drejton nuk e konsideron veten pjesë të një “blloku opozitar”, por është e gatshme të bashkëpunojë me forcat e tjera politike për çështje që konsiderohen të rëndësishme për vendin.
“Nuk jemi bllok opozitar, jemi parti, unë flas në emër të PDK-së, jemi të hapur për tema të rëndësishme me bashkëpunuar me parti të tjera politike edhe me LDK-në e Aleancën”, tha Hamza.
Deklarata lë të hapur mundësinë e koordinimit mes PDK-së, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për çështje që lidhen me funksionimin e institucioneve dhe zhvillimet e ardhshme politike.
Nuk përjashtohen protestat
Hamza paralajmëroi se PDK-ja do të shqyrtojë të gjitha format demokratike të reagimit nëse situata vazhdon, duke mos përjashtuar as organizimin e protestave.
“Të gjitha mjetet e lejuara demokratike do të jenë në përdorim, nuk përjashtohet edhe protesta”, deklaroi kreu i PDK-së.
Paralajmërimi vjen ndërsa partitë politike në Kosovë vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme për mënyrën se si duhet të procedohet me konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve të reja.
Nga njëra anë, Kurti ka kërkuar vazhdimin e konsultimeve politike dhe arritjen paraprakisht të një marrëveshjeje për presidentin, duke argumentuar se kjo do të ndihmonte në shmangien e një tjetër cikli zgjedhor. Nga ana tjetër, PDK-ja e Hamzës kundërshton zvarritjen e konstituimit të Kuvendit dhe paralajmëron se do të përdorë mekanizmat kushtetues dhe demokratikë për ta kundërshtuar atë.


