Lideri i Reform UK, Nigel Farage, ka deklaruar se shtetasit e huaj që kryejnë krime të rënda në Britaninë e Madhe duhet të dërgohen për të vuajtur dënimet jashtë vendit, duke përmendur Kosovën dhe El Salvadorin si destinacione të mundshme.
Deklarata është pjesë e planit të Reform UK për të deportuar shtetasit e huaj që ndodhen në burgjet britanike dhe për të liruar kapacitetet e sistemit penitenciar të vendit.
“Nëse keni ardhur në Britani dhe keni vrarë ose përdhunuar dikë, do t’ju dërgoj në një burg në El Salvador, Kosovë ose diku tjetër, pa asnjë hezitim”, shkroi Farage në rrjetet sociale.
Reform UK synon të deportojë më shumë se 10 mijë shtetas të huaj që aktualisht vuajnë dënime në burgjet e Britanisë. Sipas planit të partisë, në rastet kur vendet e origjinës refuzojnë t’i pranojnë ata, do të shqyrtohet mundësia që dënimi të vuhet në vende të treta.
Zëdhënësi i Reform UK për Çështjet e Brendshme, Zia Yusuf, përmendi gjithashtu në mënyrë të drejtpërdrejtë Kosovën dhe El Salvadorin.
“Nëse vendet e tyre nuk i pranojnë, do t’i dërgojmë të vuajnë dënimin në vende si El Salvadori dhe Kosova”, deklaroi Yusuf.
Ai tha se një qeveri e Reform UK do të ndryshonte gjithashtu legjislacionin në mënyrë që personat e dënuar për krime të rënda, përfshirë vrasjen, vrasjen pa paramendim, përdhunimin dhe aktet e rënda të dhunës, të kryenin të plotë dënimin e dhënë.
Sipas Yusuf, largimi i të burgosurve të huaj do të krijonte më shumë hapësira në burgjet britanike për personat e konsideruar të rrezikshëm.
“Është e pabesueshme që në burgjet britanike ndodhen mbi 10 mijë shtetas të huaj. Ne do t’i deportojmë të gjithë shtetasit e huaj nga burgjet tona”, tha ai.
Ndërkohë, sipas raportimeve të mediave britanike, Farage ka nisur bisedime me El Salvadorin për mundësinë e zbatimit të një skeme të tillë. Një delegacion i Reform UK pritet të vizitojë vendin e Amerikës Qendrore gjatë muajve të ardhshëm për të diskutuar mundësinë e transferimit të të dënuarve.
Në materialin e publikuar nuk jepen detaje për ndonjë negociatë apo marrëveshje konkrete me autoritetet e Kosovës lidhur me propozimin.
Politika e re është pjesë e qëndrimit më të gjerë të Reform UK për emigracionin dhe sigurinë. Farage ka kërkuar prej kohësh kufizimin e emigracionit, forcimin e kontrolleve kufitare dhe deportimin e personave që qëndrojnë në mënyrë të paligjshme në Britani.
Reform UK është shndërruar ndërkohë në një prej forcave kryesore të skenës politike britanike, ndërsa emigracioni dhe siguria janë vendosur në qendër të programit të saj politik.


