Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi gjatë vizitës së tij zyrtare në Beograd se Ukraina nuk ka ndryshuar qëndrim sa i përket mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se Kievi vazhdon të respektojë integritetin territorial të Serbisë.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidentin serb Aleksandar Vuçiç, Zelensky tha se politika e jashtme e Ukrainës në këtë çështje mbetet e pandryshuar.
“Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë dhe të drejtën ndërkombëtare. Sa i përket Kosovës, qëndrimi ynë mbetet i pandryshuar. Jemi mirënjohës ndaj Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë”, deklaroi presidenti ukrainas.
Edhe pse Ukraina nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, Prishtina i është bashkuar sanksioneve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara kundër Rusisë dhe ka ofruar mbështetje humanitare për qytetarët ukrainas të prekur nga lufta.
Gjatë takimit, Zelensky dhe Vuçiç diskutuan edhe për bashkëpunimin ekonomik, infrastrukturën dhe sektorin e mbrojtjes.
Presidenti serb bëri të ditur se Serbia po zhvillon projekte të reja në industrinë ushtarake, duke njoftuar se në mesin e shtatorit do të hapet një fabrikë dronësh në bashkëpunim me Izraelin.
“Çfarë do të ndodhë kur të përfundojë lufta, kjo është çështje tjetër”, tha Vuçiç, duke shtuar se Ukraina ka zhvilluar kapacitete të konsiderueshme në prodhimin e dronëve.
Nga ana e tij, Zelensky theksoi se Ukraina synon të zgjerojë bashkëpunimin me Serbinë në projekte infrastrukturore dhe në rindërtimin e zonave të dëmtuara nga lufta.
“Ekzistojnë projekte konkrete zhvillimore dhe infrastrukturore, si projektet e rindërtimit në Ukrainë, të cilat mund t’i zbatojmë së bashku”, u shpreh ai.
Vuçiç konfirmoi se Serbia do të marrë përsipër rindërtimin e një qyteti të vogël ukrainas të dëmtuar nga lufta dhe njoftoi se Beogradi do të rrisë ndihmën humanitare për Ukrainën, veçanërisht në sektorin energjetik, me pajisje të nevojshme për sezonin e dimrit.
Presidenti ukrainas përsëriti se vendi i tij synon një “paqe dinjitoze” dhe kërkoi shtim të presionit ekonomik ndaj Rusisë.
“Ukraina është mirënjohëse për secilën prej 21 paketave të sanksioneve të Bashkimit Evropian, por kjo nuk është e mjaftueshme. Vendosni sanksione ndaj furnizimit me komponentë për prodhimin e armëve ruse dhe mos i jepni Rusisë mundësinë të fitojë miliarda”, deklaroi Zelensky.
Megjithatë, ai nuk komentoi faktin që Serbia vazhdon të mos i bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë.
Nga ana e tij, Vuçiç ritheksoi se Serbia do të vazhdojë të respektojë integritetin territorial të Ukrainës dhe deklaroi se Beogradi nuk do të kundërshtonte anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian para Serbisë.
“Ne kurrë nuk do të themi se duhet të pranohemi ne të parët. Nuk do të krijojmë pengesa për Ukrainën”, tha presidenti serb.
Gjatë vizitës u nënshkrua edhe një memorandum bashkëpunimi mes institucioneve të Serbisë dhe Ukrainës në fushën e sigurisë ushqimore dhe shëndetit të kafshëve, ndërsa të dy liderët shprehën besimin se së shpejti do të arrihet edhe një marrëveshje për tregti të lirë mes dy vendeve.


