Gogu: Aty ku vepron drejtësia, ekzekutivi hesht

11 Aug 2026 12:45
Shpërndaje:

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka vënë theksin te kufiri që duhet të ekzistojë mes pushtetit ekzekutiv dhe sistemit të drejtësisë, duke deklaruar se ministri nuk duhet të ndërhyjë në çështjet konkrete që trajtohen nga gjyqtarët dhe prokurorët.

Në të parin nga tre shënimet që pritet të publikojë gjatë verës, Gogu ndalet te raporti mes pavarësisë së drejtësisë, transparencës së sistemit dhe përgjegjësisë që ka Ministria e Drejtësisë për të krijuar kushtet e nevojshme për funksionimin e tij.

“Aty ku vepron gjyqtari dhe prokurori, ekzekutivi hesht”, shkruan ministri, duke e cilësuar këtë si një vijë që pushteti ekzekutiv nuk duhet ta kapërcejë.

Reklamë Ola

Sipas Gogut, Ministria e Drejtësisë nuk ka për detyrë të gjykojë çështje konkrete dhe as të ndikojë në vendimmarrjen e gjyqtarëve apo prokurorëve. Përgjegjësia e saj, sipas tij, qëndron te krijimi i kushteve që drejtësia të funksionojë në mënyrë efektive dhe qytetarët të jenë në gjendje të kuptojnë dhe vlerësojnë funksionimin e sistemit.

Ministri argumenton se pavarësia e drejtësisë nuk duhet të ngatërrohet me mungesën e transparencës. Përkundrazi, sipas tij, një sistem i pavarur duhet të jetë njëkohësisht i kuptueshëm për qytetarët dhe i aftë të shpjegojë mënyrën se si funksionon.

Reklamë InterMedika

“Një vendim i pashpjeguar krijon hapësirë për keqinterpretim dhe dëmton besimin publik”, shprehet Gogu.

Në reflektimin e tij, ministri ndalet edhe te mënyra se si duhet të matet suksesi i reformës në drejtësi. Ai vlerëson se rezultatet nuk mund të maten vetëm me numrin e ligjeve të miratuara, institucioneve të ngritura apo dosjeve të trajtuara.

Sipas tij, një tregues po aq i rëndësishëm është përvoja konkrete që qytetari ka kur përballet me sistemin e drejtësisë.

Koha që një qytetar duhet të presë për të marrë një shërbim apo një vendim, mundësia për të pasur akses në drejtësi dhe aftësia për të kuptuar një vendim që lidhet drejtpërdrejt me të janë, sipas ministrit, elemente që duhet të përdoren për të vlerësuar funksionimin real të sistemit.

Në këtë mënyrë, Gogu e zhvendos vëmendjen nga vlerësimi formal i reformës drejt rezultateve që ajo prodhon në praktikë për qytetarët.

Ministri thekson se forcimi i besimit te drejtësia kërkon jo vetëm institucione të pavarura, por edhe një sistem që funksionon në mënyrë të kuptueshme dhe të matshme për publikun.

“Drejtësia nuk certifikohet me një vendim. Ajo provohet çdo ditë”, përfundon Gogu.