Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratave të ardhura nga Beogradi për Kosovën dhe lumin Ibër, duke theksuar se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë, por mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
Në një postim të gjatë në platformën X, Rama deklaroi se mbështetja e Shqipërisë për Kosovën nuk lidhet me ndonjë projekt për një “Shqipëri të Madhe”, duke nënvizuar se Kosova është një shtet më vete, me institucionet dhe qytetarët e saj.
Sipas kryeministrit, shqiptarët e Kosovës janë qytetarë të Republikës së Kosovës dhe kanë të drejtën të përcaktojnë vetë të ardhmen e tyre.
Rama iu përgjigj drejtpërdrejt edhe qëndrimit të Beogradit për statusin e Kosovës, duke deklaruar se realiteti territorial nuk mund të ndryshojë përmes përsëritjes së pretendimeve politike.
“Serbia e humbi Kosovën”, shkroi Rama, duke shtuar se “territori i Republikës së Kosovës nuk është territor serb dhe burimet natyrore që ndodhen në të nuk janë burime të Republikës së Serbisë”.
Një pjesë e rëndësishme e reagimit të kryeministrit lidhet me debatin e fundit për lumin Ibër dhe mundësinë e ndërhyrjeve në rrjedhën e tij.
Rama argumentoi se Ibri duhet të trajtohet si një sistem ujor ndërkufitar dhe se, megjithëse Serbia ka të drejtë të menaxhojë burimet që ndodhen brenda juridiksionit të saj, çdo ndërhyrje që sjell pasoja për një shtet tjetër duhet të trajtohet sipas rregullave ndërkombëtare.
“Kjo është pikërisht arsyeja pse ekziston e drejta ndërkombëtare e ujërave”, shkroi Rama, duke shtuar se “lumenjtë kanë zakonin e bezdisshëm të ndjekin gjeografinë dhe jo argumentet diplomatike”.
Reagimi vjen pas deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiç për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së Ibrit dhe angazhimin e ekspertëve serbë për të shqyrtuar një projekt të tillë.
Kryeministri shqiptar u ndal gjithashtu te pozita e komunitetit serb në Kosovë. Ai theksoi se të drejtat, siguria, prona, gjuha dhe trashëgimia kulturore e serbëve të Kosovës duhet të respektohen dhe të mbrohen.
Në të njëjtën kohë, Rama deklaroi se Tirana kërkon marrëdhënie të mira me Beogradin dhe mbështet perspektivën evropiane të të gjithë rajonit, përfshirë Serbinë.
Sipas tij, synimi duhet të jetë një Ballkan i integruar në Bashkimin Evropian, por fqinjësia e mirë nuk mund të ndërtohet duke kërkuar nga vendet e tjera të pranojnë interpretimin serb të historisë.
“Fqinjësia e mirë nuk mund të nënkuptojë që fqinjët e Serbisë të pranojnë versionin e Serbisë për historinë”, shkroi Rama.
Kryeministri e mbylli reagimin duke kujtuar pasojat që konfliktet dhe mosmarrëveshjet historike kanë sjellë për rajonin.
“Ballkani ka paguar tashmë një çmim shumë të lartë, në gjak dhe në kohë të humbur”, u shpreh Rama.


