×
Thursday, June 25, 2026

BE aktivizon ndihmën humanitare për Venezuelën pas tërmeteve: Jemi gati ta rrisim mbështetjen

June 25, 2026


Komisioni Evropian ka bërë të ditur se partnerët humanitarë të financuar nga Bashkimi Evropian kanë nisur tashmë ofrimin e ndihmës në Venezuelë, pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën vendin dhe shkaktuan viktima e dëme të konsiderueshme.

Komisionerja evropiane për Menaxhimin e Krizave, Hadja Lahbib, deklaroi se institucionet e BE-së po monitorojnë nga afër situatën në terren përmes stafit dhe partnerëve humanitarë.

“Po e monitorojmë situatën me stafin tonë në terren dhe partnerët tanë. Jemi të gatshëm ta rrisim më tej ndihmën”, u shpreh Lahbib.

Sipas Komisionit Evropian, ndihma e financuar nga BE-ja përfshin aktualisht operacione kërkim-shpëtimi të realizuara nga Kryqi i Kuq në mbështetje të autoriteteve venezueliane.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti i Këshillit Evropian, António Costa, shprehën ngushëllimet e tyre për viktimat dhe solidaritetin me popullin e Venezuelës përmes mesazheve të publikuara në rrjetin social X.

“Po mendoj veçanërisht për viktimat dhe familjet e tyre. Jemi pranë jush”, shkroi Von der Leyen.

Ndërsa António Costa theksoi se Bashkimi Evropian qëndron në solidaritet të plotë me Venezuelën dhe është i gatshëm të mbështesë përpjekjet emergjente në bashkëpunim me partnerët humanitarë gjatë kësaj periudhe të vështirë.




Comments are closed.