×
Monday, May 4, 2026

“Ballkani Perëndimor, fushë e re përplasjesh mes SHBA-së dhe BE-së”/ Investime energjetike miliardëshe dhe gara për ndikim në rajon

May 4, 2026


Prej se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka marrë detyrën vitin e kaluar, Uashingtoni dhe Brukseli kanë pasur përplasje për tregtinë, për mbështetjen që i jepet Ukrainës dhe për shpenzimet ushtarake.

Tani, një fushë e re përplasjesh është Ballkani Perëndimor.

Rajoni, i pozicionuar mes interesave të BE-së dhe SHBA-së, si dhe ndikimit të Rusisë dhe Kinës, është kthyer në një objekt gare i fuqive të mëdha, për shkak të pozicionit të tij strategjik dhe ekonomisë së brishtë. Asgjë nuk e shpjegon këtë më qartë sesa marrëveshjet e fundit të investitorëve amerikanë për projekte energjetike në Shqipëri, Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë – vende që synojnë të shkëputen nga varësia ndaj furnizimeve ruse.

“Presidenti Trump po hap një epokë të re bashkëpunimi me Evropën Jugore, Qendrore dhe Lindore”, tha sekretari amerikan i Energjisë, Chris Wright, në Forumin e Biznesit të Iniciativës së Tri Deteve, që u mbajt në Dubrovnik të Kroacisë.

Përplasja e agjendave u bë e dukshme javën e kaluar, kur Shtetet e Bashkuara realizuan investimin e tyre më të madh publik në Ballkanin Perëndimor prej vitesh, duke nënshkruar disa marrëveshje shumëmiliardëshe për eksportin e gazit dhe zhvillimin e inteligjencës artificiale në Shqipëri, Bosnje e Hercegovinë dhe Kroaci.

Pikë qendrore është gazsjellësi Ndërlidhja Jugore, me vlerë 1.5 miliard dollarë, mes Bosnjës dhe Kroacisë, i cili e lidh Bosnjën si me terminalin kroat të gazit të lëngshëm në ishullin Kërk, ashtu edhe me rrjetin më të gjerë të gazit në Evropë.

“Ekziston një pranim se ky është një rajon me rreziqe të mëdha dhe sa më shumë që i bën këto gjëra publike, aq më shumë provokon kundër-reagim – nga Moska, nga Pekini, madje edhe nga pjesë të Evropës”, tha për Radion Evropa e Lirë një ndihmës i Kongresit.

“Strategjia është që kapitali dhe projektet të lëvizin më shpejt se politika. Nëse gjithçka e paraqet si garë gjeopolitike, e ngadalëson procesin. Nëse e quan investim dhe infrastrukturë, ai ec përpara”, shtoi një tjetër.

Ëndrra për gazsjellësin

Bosnje e Hercegovina, një nga vendet më të varfra në Evropë, ka nevojë që gjërat të lëvizin dhe shpejt.

Aktualisht, ajo është plotësisht e varur nga furnizimet ruse me lëndë djegëse fosile, që vijnë përmes gazsjellësit Rrjedha Turke.

Terminali i Kërkut është një nyje e rëndësishme për gazin e lëngshëm natyror amerikan që hyn në Evropë, dhe marrëveshja e nënshkruar edhe nga SHBA-ja do të sigurojë që në rajon të arrijë edhe më shumë energji amerikane.

Vendet e Ballkanit duket se po kthehen drejt Shteteve të Bashkuara, pas dështimeve me vite për të siguruar financime nga Evropa.

“Mungesa e investimeve ka qenë një problem i gjatë në Ballkan”, thotë David J. Kostelancik, bashkëpunëtor i lartë në Programin e Rezistencës Demokratike në Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane (CEPA).

“Duke u përqendruar në angazhimin diplomatik dhe duke lehtësuar financimet, SHBA-ja mund të rrisë investimet në sektorin e energjisë, që rrit konkurrueshmërinë dhe sigurinë, përfshirë sigurinë kibernetike dhe mekanizmat e shqyrtimit të investimeve, që i zbulojnë përpjekjet e aktorëve keqdashës për të fituar ndikim”, shton ai.

Si Brukseli, ashtu edhe Uashingtoni mbështesin shkëputjen e Ballkanit nga varësia energjetike ndaj Rusisë.

Por, politika energjetike tani po shndërrohet në një garë ndikimi, duke i vënë dy kryeqytetet përballë njëri-tjetrit.

Për të hapur rrugën për marrëveshjen e tubacionit, Bosnja ndryshoi legjislacionin, për të përcaktuar një kompani private amerikane – AAFS Infrastructure and Energy – si investitorin dhe zhvilluesin kryesor.




Comments are closed.