Mbështetja për sektorin e bletarisë është dyfishuar këtë vit, ndërsa më shumë se 700 bletarë kanë aplikuar për të përfituar nga Skema Kombëtare e Mbështetjes 2026.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, zhvilloi një takim me një grup bletarësh në Shkodër, ku diskutoi mbi nevojat dhe problematikat me të cilat përballet sektori, si dhe mundësitë për rritjen e produktivitetit dhe përmirësimin e cilësisë së produkteve.
Në fokus të diskutimeve ishin gjithashtu shëndeti i bletëve, zgjerimi i aksesit në treg dhe investimet në pajisjet e nevojshme për zhvillimin e aktivitetit.
Sipas ministrit, përmes masave të investimeve financohet deri në 50% e kostove për pajisjet që u nevojiten bletarëve, duke përfshirë kosheret, centrifugat dhe pajisjet për ruajtjen dhe përpunimin e mjaltit.
“Këtë vit kemi dyfishuar mbështetjen për bletarinë, ndërsa mbi 700 bletarë kanë aplikuar në Skemën Kombëtare. Përmes masave të investimeve, mbështesim deri në 50% edhe pajisjet që u nevojiten bletarëve, nga kosheret dhe centrifugat, te pajisjet për ruajtjen dhe përpunimin e mjaltit”, deklaroi Salla.
Ministri ka ftuar edhe më herët fermerët dhe bletarët që të shfrytëzojnë instrumentet e tjera të mbështetjes të parashikuara për sektorin. Mes tyre është kompensimi në masën 10% të vlerës së faturave të shitjes, si dhe kredia e butë me garanci shtetërore.
Kjo e fundit synon të lehtësojë realizimin e investimeve, zgjerimin e aktiviteteve dhe fuqizimin e sipërmarrjeve që operojnë në sektorin bujqësor.
Skema Kombëtare e Mbështetjes 2026 është pjesë e politikave të qeverisë për zhvillimin e bujqësisë, rritjen e produktivitetit dhe forcimin e konkurrueshmërisë së fermerëve shqiptarë.


