Marrëveshja EFTA-Kosovë hyn në fuqi më 1 tetor, hapen mundësi të reja për bizneset

05 Sep 2026 08:07
Shpërndaje:

Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet Kosovës dhe vendeve të Shoqatës Europiane të Tregtisë së Lirë (EFTA) do të hyjë në fuqi më 1 tetor 2026, duke hapur mundësi të reja për bizneset dhe duke synuar forcimin e marrëdhënieve ekonomike mes palëve.

Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e Zvicrës në Kosovë, e cila njoftoi se marrëveshja përfshin Kosovën dhe katër vendet anëtare të EFTA-s: Zvicrën, Islandën, Lihtenshtajnin dhe Norvegjinë.

Sipas njoftimit, Këshilli Federal Zviceran ka miratuar ndryshimet e nevojshme për zbatimin e marrëveshjes, duke përmbyllur një tjetër hap drejt hyrjes së saj në fuqi.

Reklamë Ola

“Marrëveshja e Tregtisë së Lirë ndërmjet EFTA-s (Zvicrës, Islandës, Lihtenshtajnit dhe Norvegjisë) dhe Kosovës do të hyjë në fuqi më 1 tetor 2026, duke krijuar mundësi të reja për bizneset dhe duke forcuar lidhjet ekonomike. Sot, Këshilli Federal Zviceran miratoi ndryshimet e nevojshme për zbatimin e marrëveshjes, një hap i rëndësishëm drejt forcimit të marrëdhënieve tregtare dhe krijimit të mundësive të reja për bizneset”, thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Marrëveshja synon të lehtësojë tregtinë dhe të zgjerojë bashkëpunimin ekonomik të Kosovës me tregjet europiane, duke krijuar kushte të reja për eksportuesit dhe kompanitë që operojnë mes Kosovës dhe katër vendeve të EFTA-s.

Reklamë InterMedika

Në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kishte cilësuar atë si hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare me vendet anëtare të EFTA-s.

“Marrëveshja që nënshkruajmë sot themelon një kornizë për marrëdhënie tregtare midis shteteve të EFTA-s dhe Kosovës, si dhe do të krijojë mundësi të reja duke i dhënë Kosovës qasje në tregjet e EFTA-s. Këtu hapen mundësi të reja eksporti për bizneset tona dhe integrim më i thellë në kornizën ekonomike europiane, duke na mundësuar që të garojmë në një shkallë të gjerë”, kishte deklaruar Kurti.

Edhe kryesuesja e EFTA-s, Cecilie Myrseth, e kishte konsideruar marrëveshjen një arritje të rëndësishme për integrimin ekonomik të Kosovës, duke shprehur bindjen se ajo do të nxisë rritjen ekonomike dhe do të krijojë mundësi të reja për bizneset dhe qytetarët e të dyja palëve.

EFTA është një organizatë ndërqeveritare europiane e themeluar në vitin 1960 për promovimin e tregtisë së lirë dhe integrimit ekonomik. Aktualisht ajo përbëhet nga Zvicra, Norvegjia, Islanda dhe Lihtenshtajni.

Tre prej këtyre vendeve, Islanda, Lihtenshtajni dhe Norvegjia, marrin pjesë në tregun e përbashkët të Bashkimit Europian përmes Marrëveshjes për Zonën Ekonomike Europiane, ndërsa Zvicra nuk është pjesë e saj.

EFTA ka zhvilluar ndër vite një rrjet të gjerë marrëveshjesh të tregtisë së lirë me partnerë jashtë Bashkimit Europian. Sipas të dhënave të organizatës të përfshira në material, rrjeti përfshin 31 marrëveshje që mbulojnë 42 vende partnere, ndërsa më shumë se 80% e tregtisë së mallrave të vendeve të EFTA-s mbulohet nga marrëveshje preferenciale tregtare.

Kosova e nënshkroi marrëveshjen me EFTA-n më 22 janar, pas më shumë se dy vjet e gjysmë bisedimesh. Me hyrjen e saj në fuqi më 1 tetor, synohet që bizneset kosovare të kenë mundësi më të mëdha për të hyrë në tregjet e vendeve anëtare dhe që marrëdhëniet tregtare mes palëve të thellohen më tej.