Ish-kongresmeni amerikan Joseph DioGuardi u ka bërë thirrje liderëve politikë të Kosovës që të arrijnë konsensus për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, ndërsa ka propozuar Faton Bislimin si kandidat për këtë post.
Në një letër drejtuar katër partive më të mëdha politike, Lëvizjes Vetëvendosje, PDK-së, LDK-së dhe Aleancës, DioGuardi paralajmëron se Kosova nuk mund të përballojë një tjetër cikël bllokadash institucionale dhe zgjedhjesh të përsëritura.
Ish-kongresmeni republikan, i njohur për angazhimin e tij prej dekadash për çështjen e Kosovës, thekson se mosmarrëveshjet janë pjesë e demokracisë, por ngërçi institucional ka pasoja për qytetarët, ekonominë dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit.
“Vendi nuk mund ta përballojë edhe një cikël tjetër, në të cilin ngërçi politik çon në zgjedhje, zgjedhjet çojnë në një tjetër ngërç dhe cikli fillon sërish”, shkruan DioGuardi.
Sipas tij, Kosovës i nevojitet një president që mund të fitojë besimin e më shumë se një kampi politik, të bashkëpunojë si me pushtetin ashtu edhe me opozitën dhe të përfaqësojë vendin me kredibilitet në Uashington, Bruksel dhe kryeqytete të tjera ndërkombëtare.
Në këtë kontekst, DioGuardi u kërkon partive të marrin në konsideratë kandidaturën e Faton Bislimit, të cilin thotë se e njeh prej më shumë se dy dekadash.
Ai vlerëson formimin akademik, përvojën politike dhe angazhimin e Bislimit në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. DioGuardi përmend mes të tjerash studimet e tij në Amerikën e Veriut, diplomimin në Harvard dhe përvojën si deputet i Kuvendit të Kosovës.
Por sipas ish-kongresmenit, kriteret për kreun e shtetit duhet të shkojnë përtej CV-së profesionale.
“Një President duhet të ketë karakter, pavarësi dhe gjykim të shëndoshë. Presidenca duhet t’i përkasë Republikës, jo një partie”, shkruan ai.
DioGuardi argumenton se Bislimi mund të shërbejë si urë mes forcave politike, brezave, Kosovës dhe diasporës, si dhe mes Prishtinës dhe Uashingtonit.
Ai u kërkon liderëve politikë që emri i Bislimit të vendoset në tryezën e negociatave dhe të shqyrtohet mbi bazën e meritave, jo të preferencave partiake apo personale.
“Kosovës nuk i duhet edhe një President që bëhet trofeu në fund të një gare politike. Kosovës i duhet një President që mund të bëhet simbol i përfundimit të kësaj gare”, thekson DioGuardi.
Në përfundim të letrës, ish-kongresmeni shprehet se zgjedhja përfundimtare u takon forcave politike të Kosovës, por e konsideron Faton Bislimin kandidatin e duhur për të drejtuar Presidencën.
Thirrja vjen në një moment kur partitë politike në Kosovë po zhvillojnë diskutime për gjetjen e një kandidati konsensual për president dhe shmangien e një tjetër krize institucionale.


