FIFA shkarkon drejtorin operativ Kevin Lamour pas përplasjes me Infantinon

18 Aug 2026 12:26
Shpërndaje:

FIFA ka shkarkuar drejtorin e saj operativ, Kevin Lamour, pas javësh tensionesh me presidentin e organizatës, Gianni Infantino, lidhur me planet për shitjen e një pjese të të drejtave të Kupës së Botës te investitorët privatë.

Drejtuesi francez kishte dalë publikisht kundër propozimit të Infantinos, i cili parashikonte shitjen e 20% të kuotave të Botërorit te investitorë privatë. Lamour deklaroi se ishte ndjerë “i mashtruar” nga presidenti i FIFA-s, duke e kthyer përplasjen në një nga debatet më të forta brenda organizatës.

Vendimi për largimin e tij u është komunikuar anëtarëve të Këshillit të FIFA-s, ku është theksuar se shkarkimi është marrë “pas një vlerësimi të kujdesshëm dhe me respekt të plotë për Kevin”.

Reklamë Ola

Çështja e shitjes së një pjese të Botërorit ka nxitur reagime edhe jashtë FIFA-s. Kohët e fundit, disa federata kombëtare dhe konfederata kanë shprehur hapur kundërshtimin ndaj planit të Infantinos, duke ngritur shqetësime për përfshirjen e investitorëve privatë në një prej kompeticioneve më të rëndësishme të futbollit botëror.

Shkarkimi i Lamour vjen në një moment kur drejtimi i Gianni Infantinos po përballet me kritika në rritje për mënyrën se si po menaxhohen projektet strategjike të FIFA-s dhe e ardhmja e Kupës së Botës.

Reklamë InterMedika