Këshilli i Ministrave pritet të miratojë javën e ardhshme vendimin për pjesëmarrjen e Shqipërisë në misionin ndërkombëtar në Gaza. Lajmin e bëri të ditur ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, gjatë një komunikimi me gazetarët.
Sipas ministrit, faza e parë e angazhimit shqiptar do të përfshijë dërgimin e oficerëve të shtabit pranë Forcave Ndërkombëtare Stabilizuese, ndërsa më pas do të vendoset për numrin e trupave dhe detyrat konkrete që do të kryejnë.
“Javën që vjen me shumë mundësi do të marrë Këshilli i Ministrave vendimin lidhur me dërgimin e trupave në Gaza. Ne do të dërgojmë oficerë shtabi në shtabin e Forcave Ndërkombëtare Stabilizuese. Shqipëria do të jetë pjesë e këtyre trupave. Kemi bërë një mision për shqyrtimin e territorit, pas atij misioni do të dërgojmë oficerët e shtabit dhe më pas do të bëhet vlerësimi për angazhimin e trupave konkrete. Aty do të specifikohet sa trupa do të dërgohen, ku do të vendosen dhe cili do të jetë misioni i tyre”, deklaroi Nufi.
Ministri bëri të ditur se më herët është zhvilluar një mision vlerësues në terren, mbi bazën e të cilit do të përcaktohen hapat e mëtejshëm të angazhimit të Forcave të Armatosura shqiptare.
I pyetur edhe për organizimin e Samitit të NATO-s në Shqipëri, Nufi konfirmoi se vendimi për zhvillimin e tij në Tiranë është marrë në Samitin e Hagës, ndërsa data përfundimtare do të shpallet nga vetë Aleanca.
“Që Samiti i NATO-s do të zhvillohet në Tiranë është vendosur në Hagë. Zhvillimin e samiteve e vendosin krerët e shteteve. Nëse do të jetë në vitin 2027 apo 2028, kjo do të bëhet me dije nga Aleanca. Ne kemi ngritur tashmë task-forcën dhe, sapo të caktohet data, do të nisë zbatimi i masave konkrete për organizimin, sigurinë dhe transportin”, u shpreh ministri i Mbrojtjes.