×
Wednesday, July 22, 2026

Certifikohen 50 vullnetarët e parë të Illyrian Guard për Mbrojtjen Civile

July 22, 2026


Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, mori pjesë në ceremoninë e certifikimit të grupit të parë prej 50 punonjësish të kompanisë publike Illyrian Guard Sh.A., të cilët përfunduan me sukses programin e trajnimit “Vullnetarizmi në Mbrojtjen Civile”.

Trajnimi u zhvillua nga Drejtoria e Përgjithshme e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile. Ndërkohë, edhe 50 punonjës të tjerë po ndjekin të njëjtin program, duke e çuar në 100 numrin e vullnetarëve të trajnuar nga kjo kompani.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, krijimi i kësaj trupe të trajnuar për ndërhyrje në zjarre dhe emergjenca të tjera civile përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e kapaciteteve kombëtare për përballimin e situatave të jashtëzakonshme.

Në fjalën e tij, ministri Lamallari e cilësoi nismën si një moment të rëndësishëm për sistemin shqiptar të mbrojtjes civile.

“Më vjen mirë që për herë të parë vullnetarët në mbrojtjen tonë civile vijnë nga kompania Illyrian Guard, pjesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Ky nuk është vetëm zbatimi për herë të parë i asaj që është parashikuar në ligj, por është edhe një model i mirë për t’u ndjekur nga kushdo që ndan të njëjtin nivel ndërgjegjësimi qytetar dhe dashurie për vendin”, u shpreh Lamallari.

Ai theksoi se certifikimi nuk është vetëm një dokument formal, por një angazhim për të qenë në dispozicion të vendit në rast nevoje.

“Vullnetarët e trajnuar janë një hallkë e domosdoshme e zinxhirit të sigurisë. Ata nuk zëvendësojnë strukturat profesionale, por i mbështesin ato, duke rritur aftësinë e vendit për të reaguar shpejt dhe me efikasitet”, deklaroi ministri.

Lamallari u ndal edhe te rreziku i shtuar nga zjarret gjatë sezonit veror, duke vlerësuar angazhimin e Illyrian Guard për të investuar në rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes civile dhe promovimin e kulturës së vullnetarizmit.

Nga ana e tij, administratori i Illyrian Guard, Florenc Spaho, bëri të ditur se, përveç 50 punonjësve të certifikuar, edhe 50 të tjerë janë në proces trajnimi. Sipas tij, kompania do të ketë gjithsej 100 punonjës të përgatitur për të marrë pjesë në operacione për shuarjen e zjarreve, përmbytjet dhe situata të tjera emergjente.

“Ju nuk jeni vetëm punonjës të Illyrian Guard. Ju jeni qytetarë që keni zgjedhur të merrni një përgjegjësi shtesë ndaj shoqërisë. Sot merrni një certifikatë, por vlera juaj qëndron te gatishmëria që mbani në zemër. Shpresojmë të mos kemi kurrë nevojë për ndërhyrjen tuaj në situata të rënda, por kemi sigurinë se, nëse ajo ditë vjen, ju do të jeni aty, të përgatitur, të gatshëm dhe të organizuar për të shërbyer”, u shpreh Spaho.




Comments are closed.