×
Wednesday, July 22, 2026

Balla: Fund gardheve në plazhe dhe ndërtimeve gjatë sezonit turistik, ndryshimet në ligj diskutohen nesër në Kuvend

July 22, 2026


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, njoftoi përmes një videomesazhi se në seancën plenare të së enjtes Kuvendi i Shqipërisë do të shqyrtojë ndryshimet në ligjin “Për Turizmin”, të cilat synojnë të rrisin standardet në zonat turistike dhe të mbrojnë interesin e pushuesve.

Balla bëri të ditur se një nga ndryshimet kryesore parashikon ndalimin e proceseve të ndërtimit gjatë sezonit turistik në zonat turistike dhe pranë strukturave akomoduese. Sipas tij, kjo masë vjen si përgjigje ndaj shqetësimeve të shumta të pushuesve për zhurmat dhe punimet e ndërtimit gjatë periudhës së pushimeve.

“Synimi është që të ndalen zhurmat e makinerive të betonit dhe çdo proces tjetër ndërtimi gjatë sezonit turistik. Aty ku bashkitë nuk arritën ta zgjidhnin këtë problem me vendimet e tyre, tani do ta zgjidhim me ligj”, u shpreh Balla.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me garantimin e aksesit të lirë në plazhe. Balla theksoi se, pas hyrjes në fuqi të ligjit, çdo subjekt që administron një stacion plazhi do të ketë detyrimin të garantojë kalimin e lirë dhe të pandërprerë të qytetarëve drejt bregut të detit, si edhe lëvizjen përgjatë vijës bregdetare dhe ndërmjet hapësirave publike të plazhit.

Sipas projektligjit, ndalohet vendosja e gardheve, mureve, barrierave apo çdo pengese tjetër fizike, të përhershme ose të përkohshme, që kufizon ose pengon aksesin e qytetarëve në plazh.

Balla u shpreh se me këto ndryshime synohet t’i jepet fund përfundimisht praktikës së bllokimit të hyrjeve në plazhe me gardhe apo barriera, duke garantuar të drejtën e çdo qytetari për akses të lirë në bregdet.




Comments are closed.