Gogu: Burgu i Shënkollit do të kthehet në institucion të specializuar për të dënuarit me probleme të shëndetit mendor
Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, bëri të ditur se një nga sfidat kryesore të sistemit penitenciar do të jetë trajtimi i të dënuarve me probleme të shëndetit mendor, duke njoftuar se Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Shënkoll do të transformohet në një institucion të specializuar për këtë kategori.
Në një konferencë për shtyp, Gogu tha se bëhet fjalë për persona të dënuar që, përveç vendimit penal, kanë edhe një vendim gjykate që përcakton gjendjen e tyre të shëndetit mendor dhe nevojën për trajtim të specializuar.
“Një nga sfidat me të cilën do të ndeshemi dhe do të raportojmë në vijimësi do të jetë gjendja e të dënuarve të cilët kanë edhe një vendim gjykate sa i përket shëndetit mendor, pra janë të paaftë mendërisht dhe për këtë arsye duhet të trajtohen si të pamundur fizikisht”, deklaroi ministri.
Sipas Gogut, burgu i Shënkollit është përfshirë në një plan transformimi, me synimin që të shndërrohet në një institucion të posaçëm të shëndetit mendor.
“E kam fjalën për Shënkollin, që sot është IEVP, është burg, por ne po punojmë. Kemi një plan që po e zbatojmë dhe do të jetë institucion i shëndetit mendor”, u shpreh ai.
Ministri theksoi se në këtë institucion të dënuarit me probleme të shëndetit mendor do të trajtohen sipas standardeve të vendeve të Bashkimit Evropian.
“Atje do të trajtohen të dënuarit ashtu siç trajtohet një i dënuar që vuan nga shëndeti mendor në çdo vend të BE-së. Do të marrë disa vite, por ne do t’ju informojmë dhe do t’ju raportojmë për ecurinë”, tha Gogu.
Ai bëri të ditur se projekti po realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, e cila do të jetë përgjegjëse për ofrimin e shërbimeve mjekësore përmes psikiatërve dhe infermierëve të specializuar në psikiatrinë ligjore.
“Është një projekt në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, për shkak se shërbimin e ofron sistemi shëndetësor. Janë psikiatrit dhe infermierët e psikiatrisë ligjore të specializuar për këtë punë”, u shpreh ministri.
Sipas tij, Ministria e Drejtësisë do të vijojë të mbajë përgjegjësinë për sigurinë dhe administrimin e mjediseve, duke garantuar që shërbimet për këtë kategori të dënuarish të ofrohen në kushte dinjitoze.







