Kuvendi mblidhet sot në seancë plenare, në fokus integrimi në BE dhe raportet e institucioneve të drejtësisë
Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot, në orën 12:00, seancën plenare, ku deputetët pritet të shqyrtojnë një sërë çështjesh të rëndësishme që lidhen me procesin e integrimit europian, legjislacionin ekonomik, si edhe veprimtarinë vjetore të institucioneve kushtetuese dhe të sistemit të drejtësisë.
Sipas rendit të ditës të miratuar nga kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së datës 16 korrik dhe me njoftimet përkatëse.
Një nga pikat kryesore të seancës do të jetë paraqitja e Raportit Vjetor të Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian për vitin 2025. Raporti do të prezantohet nga bashkëkryetarët e këtij këshilli, në zbatim të ligjit për rolin e Kuvendit në procesin e negociatave dhe anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Deputetët do të shqyrtojnë gjithashtu projektligjin “Për shoqëritë evropiane të bashkëpunimit (SHEB)”, i cili synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me standardet e Bashkimit Evropian në fushën e bashkëpunimit ekonomik dhe ndërkufitar.
Në vijim të punimeve, Kuvendi pritet të diskutojë dhe të votojë tetë projektrezoluta për vlerësimin e veprimtarisë së institucioneve të pavarura dhe organeve të sistemit të drejtësisë për vitin 2025.
Mes institucioneve që do të raportojnë janë Avokati i Popullit, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Kontrolli i Lartë i Shtetit, Prokuroria e Përgjithshme, Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si edhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë.
Për secilën çështje do të prezantohen raportet nga drejtuesit e institucioneve përkatëse, ndërsa Komisioni për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale do të paraqesë projektrezolutat. Nëse kërkohet sipas Rregullores së Kuvendit, pritet të zhvillohen edhe debate parlamentare.
Seanca plenare do të përmbyllet me diskutimet e deputetëve për çështje jashtë rendit të ditës, në përputhje me procedurat parlamentare.







