×
Thursday, July 16, 2026

Michael Roth dënon deklaratën e ministres serbe: Si mund të anëtarësohet Serbia në BE me këtë retorikë?

July 15, 2026


Ish-ministri gjerman për Çështjet Evropiane, Michael Roth, ka reaguar ashpër ndaj deklaratës së ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezana Paunovic, e cila deklaroi se, po të ishte në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviç në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

Përmes një reagimi publik, Roth e cilësoi deklaratën si thellësisht shqetësuese dhe ngriti pikëpyetje mbi aspiratat evropiane të Serbisë, duke kritikuar mungesën e reagimit nga politika dhe shoqëria serbe.

“Një ministër serb fantazon hapur për ‘spastrimin etnik’ të Kosovës. Dhe pothuajse nuk ka asnjë kundërshtim në politikë apo në shoqëri. Si është e mundur që një vend të anëtarësohet në Bashkimin Evropian në këtë mënyrë? Urrejtja dhe nacionalizmi nuk ndërtojnë partneritet. Kjo është thjesht e trishtueshme dhe frustruese”, shkroi Roth.

Deklarata e ish-ministrit gjerman vjen pasi komentet e Paunovic kanë shkaktuar reagime të shumta në rajon dhe në institucionet evropiane.

Ministrja serbe deklaroi se, po të kishte qenë në vend të Sllobodan Millosheviçit gjatë vitit 1998, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën, një deklaratë që është dënuar gjerësisht si nxitëse dhe në kundërshtim me vlerat evropiane.

Pas kësaj deklarate, politikanë në Shqipëri dhe Kosovë kanë kërkuar shpalljen e saj “non grata”, ndërsa autoritetet në Tiranë dhe Prishtinë kanë ndërmarrë nisma për të informuar selitë diplomatike dhe partnerët ndërkombëtarë lidhur me deklaratat e ministres serbe.

Edhe Bashkimi Evropian reagoi më herët përmes zëdhënëses së Komisionit Evropian, Anitta Hipper, e cila theksoi se në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon apo promovon spastrimin etnik.

Sipas Komisionit Evropian, deklarata të tilla bien ndesh me vlerat themelore të Bashkimit Evropian, si dinjiteti njerëzor, pajtimi, llogaridhënia dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, ndërsa u bë thirrje të gjithë liderëve politikë të tregojnë përgjegjësi dhe të shmangin gjuhën nxitëse që cenon stabilitetin rajonal.




Comments are closed.