×
Thursday, July 9, 2026

72 eurodeputetë kërkojnë hetim ndaj presidentit të FIFA-s pas ndërhyrjes së Trump për Balogun

July 9, 2026


Shtatëdhjetë e dy deputetë të Parlamentit Europian kanë kërkuar hapjen e një hetimi ndaj presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, pasi organizata hoqi pezullimin e sulmuesit amerikan Folarin Balogun vetëm pak ditë pas një telefonate të presidentit amerikan Donald Trump.

Sipas raportimit të POLITICO, Trump kontaktoi Infantinon javën e kaluar për të kërkuar anulimin e pezullimit automatik të Balogun, i cili ishte ndëshkuar me karton të kuq në ndeshjen ndaj Bosnje-Hercegovinës. Katër ditë më vonë, Komisioni Disiplinor i FIFA-s vendosi ta lejojë sulmuesin të luajë në sfidën e rëndësishme ndaj Belgjikës.

Në një letër drejtuar federatave kombëtare të futbollit të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian, eurodeputetët u bëjnë thirrje atyre të mbështesin kërkesën për hetim ndaj Infantinos.

“Le të jemi të qartë: vendimi i FIFA-s për të ndryshuar rregullin e pezullimit pas kartonit të kuq në mes të turneut është një turp dhe një shtrembërim i drejtësisë”, deklaroi eurodeputeti i grupit Renew, Barry Andrews, autor i letrës.

Sipas tij, FIFA edhe një herë “iu nënshtrua kërkesave të administratës Trump”.

Megjithëse Balogun u lejua të luante, Shtetet e Bashkuara u mposhtën 4-1 nga Belgjika. Futbollistët belgë festuan golin e katërt duke imituar kërcimin karakteristik të Donald Trump.

Eurodeputetët argumentojnë se, duke qenë se FIFA u kërkon federatave kombëtare të respektojnë kodin e saj të etikës, ato kanë detyrimin të kërkojnë përgjegjësi edhe për drejtuesit më të lartë të organizatës.

FIFA nuk ka reaguar ende ndaj kërkesës, ndërsa Gianni Infantino ka mohuar më herët se ka ndikuar në vendimin e Komisionit Disiplinor.

Kjo është letra e tretë që eurodeputetët i drejtojnë FIFA-s brenda dy javësh. Më herët, Barry Andrews kërkoi hetim për shkeljen e rregullave të neutralitetit politik, ndërsa eurodeputeti Petras Auštrevičius kundërshtoi vendimin për lejimin e Rusisë në Kupën e Botës U-15.

Letra e fundit është mbështetur nga 72 eurodeputetë të gjashtë grupeve politike në Parlamentin Europian, duke u bërë nisma më e gjerë deri tani kundër drejtimit të FIFA-s.




Comments are closed.