×
Friday, July 3, 2026

Rama: Shkolla Kombëtare e Fluturimit hap dyert, do të trajnojë edhe pilotë nga vendet e NATO-s

July 3, 2026


Kryeministri Edi Rama mori pjesë sot në inaugurimin e Shkollës Kombëtare të Fluturimit, të cilën e cilësoi një projekt strategjik për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe forcimin e rolit të Shqipërisë në NATO.

Gjatë ceremonisë, Rama tha se projekti ishte pritur fillimisht me skepticizëm dhe kritika, por sot është bërë realitet.

“Projekti u prit me humor dhe përqeshje, e më pas vazhdoi me akuza për falimentim, por ja ku jemi sot. Shkolla Kombëtare e Fluturimit çel dyert e saj”, u shpreh ai.

Kryeministri falënderoi kompaninë izraelite Elbit Systems për mbështetjen në realizimin e projektit, duke e cilësuar atë një nga kompanitë më prestigjioze në industrinë globale të mbrojtjes.

Rama theksoi se Forcat e Armatosura kanë pësuar një transformim të madh gjatë dekadës së fundit.

“Vetëm një dekadë më parë Forcat e Armatosura ishin lënë në mëshirë të fatit. Sot ato janë më të mirëpaguarat në rajon dhe synimi ynë është që, në kuadër të vizionit ‘Shqipëria 2030’, pagat e tyre të arrijnë mesataren e vendeve të NATO-s”, deklaroi ai.

Sipas kreut të qeverisë, interesi i të rinjve për t’iu bashkuar ushtrisë është rritur ndjeshëm, ndërsa Shkolla Kombëtare e Fluturimit ka tërhequr një numër të konsiderueshëm kandidatësh.

Ai bëri të ditur se institucioni do të jetë i hapur edhe për trajnim dhe certifikim të pilotëve nga vendet e NATO-s në rajon, duke nisur me Kosovën.

“Ministri i Mbrojtjes është ngarkuar të kërkojë nga homologu i Kosovës nëse ka interes që pilotët e ardhshëm të Kosovës të trajnohen dhe certifikohen këtu. E njëjta ftesë do t’u bëhet edhe dy vendeve të tjera fqinje që janë anëtare të NATO-s”, tha Rama.

Në përfundim, kryeministri u shpreh se Shqipëria tashmë disponon një flotë ajrore plotësisht funksionale, e gatshme si për misionet ushtarake, ashtu edhe për përballimin e emergjencave civile, përfshirë luftën kundër zjarreve gjatë sezonit veror.




Comments are closed.