×
Wednesday, July 1, 2026

Malaj: Ndryshime në buxhetin 2026, rritje fondesh për pensione, shëndetësi dhe mbrojtje

June 30, 2026


Ministri i Financave, Petrit Malaj deklaroi sot, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, se është miratuar Akti Normativ për disa ndryshime në Buxhetin e vitit 2026, i cili parashikon rritje të fondeve për politika sociale, shëndetësi, mbrojtje dhe ekonomi.

Sipas Malajt, përmirësimi i treguesve ekonomikë gjatë 5-mujorit të parë të vitit ka krijuar hapësirat e nevojshme fiskale për financimin e masave të reja, që synojnë mbështetjen e shtresave në nevojë, rritjen e investimeve në shëndetësi, përmbushjen e angazhimeve ndaj NATO-s dhe zgjerimin e Garancisë Sovrane për bizneset.

Ministri bëri të ditur se përmes aktit normativ është parashikuar afrimi i indeksimit të pensioneve më 1 korrik, me një fond shtesë prej rreth 872 milionë lekësh.

Po ashtu, dyfishohet pagesa për fëmijët me aftësi të kufizuara, me një fond prej 750 milionë lekësh, nga e cila përfitojnë 10 720 fëmijë, masë që hyn në fuqi nga 1 korriku 2026.

Malaj njoftoi gjithashtu se shteti do të mbulojë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore për kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara, me një efekt financiar prej rreth 2 miliardë lekësh.

Në sektorin e shëndetësisë, sipas tij, janë alokuar 1,5 miliardë lekë shtesë për barnat e onkologjikut dhe do të rriten pagat e personelit të urgjencës mjekësore, si dhe pagesa për orët shtesë të zjarrfikësve.

“Nëpërmjet këtij akti do të mundësojmë edhe rritjen e pagave të personelit në urgjencën mjekësore ku do të përfitojnë mjekët dhe personeli i shërbimit në urgjencën spitalore. Nga ana tjetër, do të alokohet edhe një fond shtesë për pagesën e orëve shtesë të punës të zjarrfikësve nga ku do të mund përfitojnë 1250 punonjës”, tha Malaj.

Në fushën e mbrojtjes, ministri tha se janë akorduar 10,3 miliardë lekë shtesë për të çuar financimin në 2,6% të PBB-së, në përputhje me angazhimet ndaj NATO-s dhe nevojat për modernizimin e ushtrisë.

“Nëpërmjet këtij akti normativ për sektorin e mbrojtjes do të alokohen 10,3 miliardë lekë shtesë, duke garantuar që financimi i mbrojtjes të shkojë në nivelin 2,6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, në përputhje me objektivat, por edhe me nevojat që ka ushtria shqiptare për modernizimin dhe rritjen e kapaciteteve të saj”, tha ai.

Gjithashtu, Garancia Sovrane rritet nga 3 në 5 miliardë lekë dhe shtrihet edhe për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Malaj theksoi se paketa përfshin edhe masa të tjera fiskale dhe sociale që synojnë forcimin e ekonomisë dhe mbështetjen e sektorëve prioritarë në vend.




Comments are closed.