Vuçiç njofton dorëheqjen dhe zgjedhje të parakohshme në Serbi
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, njoftoi sot se do të japë dorëheqjen brenda pak javësh dhe paralajmëroi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme presidenciale dhe parlamentare, pas më shumë se një viti protestash masive kundër korrupsionit.
Duke folur para mbështetësve të tij në një tubim proqeveritar në Beograd, Vuçiç deklaroi se do të largohet nga posti i presidentit përpara përfundimit të mandatit të tij të dytë, i cili skadon në mesin e vitit 2027.
“Do të jem president vetëm edhe për disa javë, e më pas do të jap dorëheqjen”, u shpreh ai.
Presidenti serb tha se do të vazhdojë të mbështesë Partinë Progresive Serbe (SNS) në zgjedhjet e ardhshme, përfshirë edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat fillimisht ishin planifikuar për vitin 2027.
Megjithatë, Vuçiç nuk dha një datë të saktë për dorëheqjen e tij dhe as për shpërndarjen e parlamentit, procedurë e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.
Vendimi vjen pas protestave të gjera të udhëhequra nga studentët, të cilat nisën pas tragjedisë në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku në vitin 2024 humbën jetën 16 persona nga shembja e strehës së hyrjes.
Protestuesit, opozita dhe organizatat për të drejtat e njeriut e kanë cilësuar ngjarjen si pasojë të korrupsionit dhe keqmenaxhimit të projekteve publike nga qeveria.
Lëvizja studentore ka bërë të ditur se synon të sfidojë Vuçiçin dhe Partinë Progresive Serbe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale.







