Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë, së bashku me Komisionet Qendrore të Zgjedhjeve të Moldavisë, Ukrainës dhe Maqedonisë së Veriut, nënshkruan sot një Memorandum Mirëkuptimi për forcimin e qëndrueshmërisë demokratike dhe thellimin e bashkëpunimit evropian në fushën zgjedhore.
Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua gjatë sesionit përmbyllës të Konferencës Rajonale “Paratë në Politikë 2026”, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve zgjedhore të rajonit.
Memorandumi pasqyron angazhimin e përbashkët të katër institucioneve për promovimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, rritjen e integritetit të proceseve zgjedhore dhe konsolidimin e demokracive të qëndrueshme në përputhje me standardet evropiane.
Sipas dokumentit të nënshkruar, bashkëpunimi do të përqendrohet në një sërë fushash me rëndësi strategjike, duke përfshirë transparencën e financimit politik dhe zgjedhor, luftën kundër korrupsionit zgjedhor, parandalimin e dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja informative, si dhe forcimin e sigurisë kibernetike të proceseve zgjedhore.
Po ashtu, palët do të bashkëpunojnë në digjitalizimin e proceseve zgjedhore, shkëmbimin e praktikave më të mira ndërkombëtare dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale të administratave zgjedhore.
Një element i rëndësishëm i memorandumit është fakti se ai mbetet i hapur për aderimin e autoriteteve të tjera zgjedhore që ndajnë të njëjtat vlera dhe objektiva për mbrojtjen e demokracisë, forcimin e institucioneve zgjedhore dhe promovimin e standardeve evropiane.
Nënshkruesit e marrëveshjes e konsideruan këtë iniciativë si një instrument të rëndësishëm për rritjen e bashkëpunimit rajonal dhe përballimin e sfidave të përbashkëta që lidhen me integritetin e proceseve zgjedhore në një periudhë të karakterizuar nga zhvillime të shpejta teknologjike dhe rritja e kërcënimeve të dezinformimit.
Memorandumi synon të krijojë një platformë të qëndrueshme bashkëpunimi mes institucioneve zgjedhore, duke kontribuar në forcimin e besimit të publikut te proceset demokratike dhe në avancimin e standardeve të administrimit zgjedhor në rajon.