×
Tuesday, June 23, 2026

Gogu: Qeveria i ka dëgjuar shqetësimet e protestuesve, por jo çdo narrativë dixhitale pasqyron realitetin

June 22, 2026


Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, deklaroi se qeveria dhe kryeministri Edi Rama kanë dëgjuar dhe adresuar shqetësimet reale të qytetarëve që prej 23 ditësh protestojnë në Tiranë, ndërsa paralajmëroi se një pjesë e debatit publik po ndikohet nga mekanizmat e amplifikimit dixhital dhe algoritmet e rrjeteve sociale.

I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Gogu tha se diskutimet e zhvilluara brenda Partisë Socialiste, por edhe gjatë takimeve të kryeministrit me qytetarët në qytete të ndryshme të vendit, janë fokusuar pikërisht te problematikat dhe shqetësimet reale të njerëzve.

Sipas ministrit, është e rëndësishme që qytetarëve t’u shpjegohet se koha e sotme është ndryshe nga ajo e mediave tradicionale, pasi informacioni shpesh filtrohet dhe shpërndahet përmes logjikës së klikimeve dhe algoritmeve.

“Një pjesë e fjalimit të kryeministrit dhe diskutimeve që kemi zhvilluar kanë qenë pikërisht për shqetësimet reale të qytetarëve. Por sot jetojmë në një kohë tjetër, ku shpesh ajo që është më e klikueshme konsiderohet edhe si e vërtetë”, u shpreh Gogu.

Ai shtoi se kryeministri Rama ka pasur kontakte të drejtpërdrejta me qytetarët gjatë turit të 35-vjetorit të Partisë Socialiste dhe në takime të zhvilluara në zona të ndryshme të vendit, përfshirë edhe banorët e Zvërnecit.

“Ka folur me banorët e Zvërnecit, ka qenë në sheshet e Shqipërisë dhe ka dëgjuar shqetësimet e njerëzve. Këto shqetësime reale ne i dëgjojmë dhe i shohim”, deklaroi ministri.

Gjatë debatit në studio, gazetari Ylli Rakipi vuri në dukje se protesta ka mbledhur grupe të ndryshme interesi dhe se qytetarët presin përgjigje konkrete nga institucionet. Ai kritikoi mënyrën e komunikimit të kryeministrit, duke e cilësuar shpesh si një “one man show”.

Në përgjigje, Gogu tha se qeveria ka zhvilluar disa mbledhje të zgjeruara pas takimeve me qytetarët dhe se në fokus kanë qenë çështje që lidhen me të drejtën e pronësisë, zhvillimin ekonomik dhe problematika të tjera konkrete.

Sipas tij, sfida kryesore mbetet dallimi mes shqetësimeve reale të qytetarëve dhe mënyrës se si ato amplifikohen në hapësirën dixhitale.

“Besoj se është normale të bësh dallimin mes shqetësimeve reale dhe mënyrës se si amplifikimi dixhital i shndërron ato në problematika që shpesh nuk kanë lidhje me realitetin”, tha ministri i Drejtësisë.

Deklaratat e Gogut vijnë në një kohë kur protestat në Tiranë vijojnë prej më shumë se tre javësh, ndërsa debati politik është përqendruar jo vetëm te kërkesat e protestuesve, por edhe te mënyra se si ato po pasqyrohen dhe interpretohen në media dhe rrjetet sociale.




Comments are closed.