×
Tuesday, June 16, 2026

Salianji-Berishës: Nuk je më opozita, por pengesa që opozita të vijë në pushtet

June 16, 2026


Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka reaguar pas thirrjeve të protestuesve që kërkojnë largimin e Sali Berishës nga drejtimi i opozitës, duke e akuzuar atë se po mban peng Partinë Demokratike dhe po pengon rotacionin politik.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Salianji deklaroi se Berisha nuk përfaqëson më opozitën, por është kthyer në pengesën kryesore për ardhjen e saj në pushtet.

“Sali nuk je më opozita, por je pengesa që opozita të vijë në pushtet. Sali Berisha duhet të dëgjojë thirrjet e shoqërisë për largimin e tij dhe t’i hapë rrugë rotacionit. Ai është kambaleci që e mban Ramën në qeveri, pavarësisht se thuajse 70% e qytetarëve janë kundër tij”, shkruan Salianji.

Ai pretendon se prej muajsh demokratët kanë kërkuar largimin e Berishës, ndërsa e akuzon këtë të fundit se ka marrë peng Partinë Demokratike për interesa personale.

“Ka 7 muaj që demokratët, në takimet e mia, kanë mbushur sallat dhe sheshet duke kërkuar largimin e Berishës, por ai e ka marrë peng Partinë Demokratike dhe po e mban peng për interesa personale. Shkatërroi garën dhe sot sheshi që duhet ta mbushte Partia Demokratike është plot edhe kundër Sali Berishës”, shprehet Salianji.

Sipas tij, protestuesit po kundërshtojnë njëkohësisht kryeministrin Edi Rama dhe kryedemokratin Sali Berisha, duke kërkuar më shumë demokraci, meritokraci dhe respektim të rregullave politike.

“Protestuesit po ngrihen kundër autokratit Rama në qeveri dhe autokratit Berisha në parti. Ata duan demokraci, rregulla loje dhe meritokraci, jo parti të mbajtura peng nga individë që i vendosin interesat e tyre mbi ato të demokratëve”, vijon reagimi.

Në fund të postimit, Salianji i drejton edhe një sfidë publike Berishës, duke i kërkuar të flasë për atë që ai e quan “kulla e ortakërisë me Ramën te Pallati i Kongreseve”.

“Dhe meqë ke kaq merak të merresh me budallallëqe për të zhvendosur vëmendjen në ditët më të këqija të Ramës, kam një pyetje: pse nuk flet për kullën e ortakërisë me Ramën te Pallati i Kongreseve? Dil e fol”, shkruan Salianji.

Deklaratat e tij vijnë në një moment tensioni brenda opozitës, teksa protestat e fundit kanë nxitur debate të forta mbi drejtimin dhe të ardhmen e Partisë Demokratike.




Comments are closed.