Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim në Luksemburg me ministrin e Punëve të Jashtme të Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, ku në fokus të bisedimeve ishin marrëdhëniet dypalëshe, procesi i zgjerimit të Bashkimit Europian dhe bashkëpunimi rajonal në Ballkanin Perëndimor.
Pas takimit, Hoxha bëri të ditur se palët diskutuan mënyrat për të thelluar bashkëpunimin mes dy vendeve dhe për të krijuar mundësi të reja partneriteti në fusha me interes të përbashkët.
“Shkëmbyem pikëpamje mbi të ardhmen e zgjerimit të BE-së, duke riafirmuar rëndësinë e një procesi të besueshëm dhe të bazuar në meritë që forcon si vendet kandidate ashtu edhe vetë Bashkimin Europian”, shkroi Hoxha në rrjetin social X.
Kryediplomati shqiptar shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Danimarkës ndaj procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe perspektivës europiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ai vlerësoi gjithashtu rolin e Danimarkës gjatë Presidencës së Këshillit të Bashkimit Europian në vitin 2025, duke e cilësuar atë një mbështetëse të rëndësishme të procesit të zgjerimit.
Gjatë takimit, Hoxha i përcolli homologut danez një ftesë për të vizituar Shqipërinë në një moment të afërt, edhe në kuadër të hapjes së Ambasadës së Danimarkës në Tiranë, të cilën e konsideroi një hap të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
Të dy ministrat diskutuan gjithashtu zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar se bashkëpunimi rajonal mbetet një faktor kyç për stabilitetin, zhvillimin ekonomik dhe integrimin europian të rajonit.