Peleshi në Hagë: Holanda mbështet integrimin europian të Shqipërisë
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zhvilloi një vizitë zyrtare në Mbretërinë e Holandës, ku u takua me drejtues të lartë të parlamentit holandez dhe përfaqësues të Komisionit për Çështjet Europiane, në një moment të rëndësishëm për procesin e integrimit europian të Shqipërisë.
Gjatë takimeve me kryetarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Thom van Campen, kryetaren e Senatit, Mei Li Vos, si dhe përfaqësues të tjerë institucionalë, u vlerësuan marrëdhëniet e ngushta mes dy vendeve dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm në fusha me interes të përbashkët.
Në qendër të diskutimeve ishte avancimi i negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian. Peleshi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Holandës ndaj reformave të ndërmarra nga Shqipëria dhe progresit të vendit në rrugën drejt anëtarësimit në BE, duke theksuar rëndësinë e vlerësimeve pozitive për raportin IBAR.
Kryetari i Kuvendit nënvizoi se Shqipëria mbetet e angazhuar për të përmbushur të gjitha detyrimet e procesit të integrimit dhe mbështet një proces zgjerimi të bazuar në meritë, të drejtë dhe të parashikueshëm.
Palët diskutuan gjithashtu mbi nismat europiane për integrimin gradual të vendeve kandidate në politikat dhe programet e Bashkimit Europian, të cilat Shqipëria i konsideron si një hap drejt anëtarësimit të plotë dhe jo si zëvendësim të tij.
Një tjetër temë e rëndësishme ishte bashkëpunimi në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe migracionit të paligjshëm. Të dyja palët vlerësuan rezultatet konkrete të arritura falë koordinimit institucional dhe shkëmbimit të informacionit.
Gjatë vizitës u diskutua edhe forcimi i bashkëpunimit parlamentar. Peleshi mirëpriti vizitën e planifikuar të Komisionit për Çështjet Europiane të Parlamentit Holandez në Shqipëri dhe Mal të Zi në korrik 2026, si një mundësi për të njohur nga afër progresin e vendeve kandidate.
Ai ftoi gjithashtu përfaqësuesit e parlamentit holandez të marrin pjesë në Konferencën “Zgjerimi i Bashkimit Europian dhe Anëtarësimi i Shqipërisë”, që do të mbahet në Tiranë më 28-29 shtator 2026, me pjesëmarrjen e parlamenteve të vendeve anëtare të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor.







