Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në një mëngjes pune me ministrat për Çështjet Evropiane të vendeve të Bashkimit Evropian, në kuadër të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme (GAC), ku u diskutua bashkëpunimi në nismën “Mburoja Demokratike” (Democracy Shield).
Gjatë fjalës së tij, Hoxha theksoi se demokracitë po përballen me sfida gjithnjë e më të mëdha nga dezinformimi, manipulimi i informacionit, ndërhyrjet e huaja dhe kërcënimet hibride, duke nënvizuar rëndësinë e forcimit të qëndrueshmërisë kolektive.
Ministri mirëpriti hapjen e mekanizmave europianë të qëndrueshmërisë për vendet kandidate për anëtarësim në BE, duke e konsideruar këtë një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit gradual të Shqipërisë në bllokun europian.
“Shqipëria mbetet e përkushtuar të punojë ngushtësisht me partnerët europianë për mbrojtjen e institucioneve demokratike, forcimin e besimit publik dhe integritetit të hapësirës informative”, u shpreh Hoxha.
Ai theksoi se faktet dhe informacioni i verifikuar mbeten mbrojtja më e fortë e demokracisë përballë përhapjes së manipulimeve dhe dezinformimit.
“Në botën e sotme, faktet mbeten linja e parë e mbrojtjes së demokracisë”, deklaroi ministri, duke shtuar se një shoqëri demokratike ka nevojë për qytetarë të informuar, media të lira dhe të pavarura, si dhe një shoqëri civile aktive dhe pjesëmarrëse.
Sipas Hoxhës, pa një shoqëri të aftë për të identifikuar dhe kundërshtuar manipulimet, ndërhyrjet dashakeqe të përhapura shpesh përmes rrjeteve sociale rrezikojnë të dëmtojnë besimin publik dhe kohezionin shoqëror.